Dogana e Qafë Thanës nuk ka funksionuar as në orët e paradites së kësaj të mërkure, që prej ditës së martë, për shkak të një aksidenti në afërsi të pikës kufitare ku është përmbysur një autobot me gaz.

Autoritetet maqedonase ende nuk kanë lejuar udhëtarët të kalojnë përmes kësaj dogane, një pikë kyçe që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut ndërsa për pasojë, janë krijuar radhë dhe pritje të gjata në pikat e tjera kufitare, përkatësisht në Goricë dhe Tushemisht.

“Paraditen e së martës, u njoftuam nga policia e Maqedonisë së Veriut se në aksin rrugor ‘Strugë-Qafë Thanë’, rreth 3 km nga dogana maqedonase, një autobot me gaz ka bllokuar rrugën si pasojë e aksidentit,” njofton policia.