DURRËS, 20 tetor 2014 –  Pas bllokadës që po u bëhet prodhuesve kosovarë të miellit në doganën shqiptare, ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ku, sipas një komunikate për shtyp të kësaj të fundit, thuhet se para disa ditësh, anëtarët e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës (SHMK) janë takuar në Prishtinë me ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë Edmond Panariti, pas situatës së krijuar rreth çështjes së proteinave, njofton shtypi i Prishtinës.

Ministri Panariti propozoi të formohet një komision i përbashkët Shqipëri-Kosovë, ku do të përpilohej një formular i standardizuar i analizave dhe se në ndërkohë, derisa ky formular të konkretizohej, mielli i prodhuesve nga Kosova do të mundë të tregtohej pa pengesa në Shqipëri. Me këtë kanë rënë dakord edhe anëtarët e SHMK-së dhe u zotuan se do të japin kontributin e tyre në përpilimin e këtij formulari.

Më pas pati edhe konferencë për media ku të gjithë deklaruan se mielli kosovar është i sigurt e cilësor dhe se tani nuk do të ketë më barriera.

Kjo marrëveshje u zbatua brenda vetëm pak ditëve, ngaqë autoritetet doganore përsëri filluan me bllokimin e miellit kosovar me pretendime të kontrolleve shtesë dhe me urdhëresa të kthimit të kamionëve prapa në Kosovë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/