Jonadri Prodani është drejtor teknik i njërës prej kompanive më të mëdha të transportit, e cila operon prej 15 vjetësh në këtë sektor. Ai tregon se konkurrenca në rritje në tregjet ndërkombëtare, po dikton domosdoshmërinë e shkurtimit të kohës së përpunimit të mallrave në pikat kufitare dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet koordinimit të punës ndërmjet të gjithë operatorëve të logjistikës. “Me keqardhje konstatoj që në vend që të koordinohej puna dhe të thjeshtohen procedurat po shkohet në drejtimin e kundërt, thotë Prodani i cili shton se shtimi i procedurave nuk do të thotë që ulet mundësia për kontrabandë apo evazion fiskal. Një shembull është rasti i peshimit të mjeteve me konfeksione një rast tipik ky i një kërkese të panevojshme nga ana e doganës pasi konfeksionet e kanë vlerën tregtare me copë apo në metra linearë dhe jo me peshë”. Eksperti i fushës së transporteve i vë theksin lehtësive në procedurat doganore si një nga elementët që do të ndihmojë në mbijetesën e kompanive që tashmë kanë qindra të punësuar dhe janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në arkën e shtetit.

Z. Prodani ju dhe kompania juaj operoni prej vitesh në sektorin e transportit ndërkombëtar rrugor. Cilat janë disa nga problemet që ju hasni në punën tuaj?

Është e vërtetë që ne operojmë tashmë prej 15 vitesh në fushën e transportit ndërkombëtar dhe do të theksoja që një pjesë të mirë të volumeve të punës sonë ne i realizojmë me firma të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e prodhimit të konfeksione me material porositës. Do të doja ta nisja me problematikën që këto firma kanë. Për shkak të konkurrencës së madhe që ka ky treg është shumë e rëndësishme për ne të ofrojnë një shërbim sa më cilësor dhe në një kohë sa më të shpejtë. E theksoj që koha e shpejtë e përpunimit u jep mundësi këtyre firmave që të jenë atraktive për të tërhequr porosi të reja duke përballuar një konkurrencë e fortë në këtë sektor që vjen nga përtej oqeanit nga vende si Kina, India etj. Për t’u ofruar garanci firmave porositëse që mallrat e tyre do të arrijnë në kohën e duhur është shumë e rëndësishme që të gjithë operatorët që veprojnë në sektorin e logjistikës të koordinojnë veprimet midis tyre për të ulur në maksimum kohën e përpunimit të mjeteve në dogana. Kjo gjë arrihet vetëm në bashkëpunim midis agjencive të transportit, agjentëve doganorë, autoriteteve portuale, degës doganore dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë proces. Me keqardhje konstatoj që në vend që të koordinohej puna dhe të thjeshtohen procedurat po shkohet në drejtimin e kundërt. Kemi vonesa në procedura dhe operacione shtesë të panevojshme të cilat vonojnë procesin e zhdoganimit. Shtimi i procedurave nuk do të thotë që ulet mundësia për kontrabandë apo evazion fiskal. Një shembull është rasti i peshimit të mjeteve me konfeksione një rast tipik ky i një kërkese të panevojshme nga ana e doganës pasi konfeksionet e kanë vlerën tregtare me copë apo në metra linearë dhe jo me peshë. Nuk e kuptoj për çfarë i duhet doganës dhe çfarë rëndësie ka nëse një bluzë peshon 300 apo 350 gram, kur vlera tregtare e saj është me copë. Mendoj që ka ardhur koha që edhe doganat shqiptare të operojnë sipas standardeve dhe procedurave që aplikohen në vendet e BE ku në rastin e konfeksioneve malli deklarohet me një peshë specifike të përafërt dhe ky deklarim bëhet vetëm për efekt statistikor, në rast kontrolli elementët që duhet të kontrollohen janë sasia në copë, ml të metrazhit, çmimet e faturave apo dhe të tjera si origjina e mallit dhe etiketat “Made in Albania”. Aktualisht doganat europiane janë shumë të ndjeshme ndaj falsifikimit të markave të njohura si “Adidas”, “Nike”, etj. Ndërkohë që dogana jonë nuk e ushton këtë lloj kontrolli, por harxhon kohë dhe personelin e saj me peshim dhe ripeshim deri në dy herë të mjeteve me qëllimin e vetëm vendosjen e ndonjë gjobe për pasaktësi në dokumentacion në rastin që fletëpeshorja ka një diferencë prej 2% nga deklarimi i bërë. Ne kemi patur raste që klientët tanë kanë transportuar ngarkesa të cilat kanë qenë voluminoze 90 m3 dhe pesha e tyre vetëm 2 tonë dhe jemi penalizuar për diferenca absurd në peshë prej 380 kg, ndërkohë që vetëm furnizimi ose jo me karburant krijon një diferencë prej 400-500 kg

Pra ju jeni kundër peshimit të detyruar të mjeteve nga dogana?

Absolutisht që po. Unë mendoj që peshimi i ngarkesës duhet si masë kontrolli paraprak vetëm për ato mjete që çmimin e faturës e kanë me peshë, ndërsa në rastet e tjera duhet të zbatohet vetëm kontrolli i plotë fizik i sasisë (në ato rastet që mjeti del për kontroll fizik me të kuqe nga sistemi kompjuterik). Kjo do të eliminonte radhët e gjata të kamionëve përpara peshores që tashmë jemi mësuar t’i shohim përditë në terminal dhe, mbi të gjitha, do të ulte ndjeshëm deri në 3-4 orë kohën e qëndrimit të mjeteve në dogana, një element kyç që do të ndihmonte bizneset për një ecuri dhe punë normale.

 

Aktualisht doganat europiane janë shumë të ndjeshme ndaj falsifikimit të markave të njohura si “Adidas”, “Nike”, etj. Ndërkohë që dogana jonë nuk e ushton këtë lloj kontrolli, por harxhon kohë dhe personelin e saj me peshim dhe ripeshim deri në dy herë të mjeteve me qëllimin e vetëm vendosjen e ndonjë gjobe për pasaktësi në dokumentacion në rastin që fletëpeshorja ka një diferencë prej 2% nga deklarimi i bërë. Ne kemi patur raste që klientët tanë kanë transportuar ngarkesa të cilat kanë qenë voluminoze 90 m3 dhe pesha e tyre vetëm 2 tonë dhe jemi penalizuar për diferenca absurd në peshë prej 380 kg, ndërkohë që vetëm furnizimi ose jo me karburant krijon një diferencë prej 400-500 kg

Nga eksperienca juaj, si funksionon dhe sa është koha e përpunimit të mjeteve në doganat e vendeve europiane në të cilat ju kryeni ngarkesat?

Procedurat e aplikuara nga doganat e vendeve të ndryshme janë të ndryshme, sikundër edhe koha e kryerjes së formaliteteve doganore, por në të gjitha rastet ato janë shumë më të thjeshta. Do të merrja shembullin e Gjermanisë ku ne kemi tre klientë dhe të tre këto firma operojnë dhe kanë marrë nga autoritetet doganore lokale statusin e agjentit doganor i cili i jep mundësinë e përpilimit të deklaratës doganore që në fabrikë pa qenë nevoja e vajtjes së mjetit në doganë. Pra e theksoj që kamionët tanë kryejnë zhdoganimin, shkarkimin e mallit, ngarkimin dhe deklaratën e eksportit pa u paraqitur fare në doganë. Ky proces kryhet maksimumi në harkun kohor të 3-4 orëve. E njëjta procedurë ndiqet edhe nga disa firma në shtetin fqinjë, Itali, ku mjeti shkon për të shkarkuar në orën 14.00 dhe në orën 16.00 del nga fabrika i ringarkuar dhe me dokumentet e eksportit të përfunduara. Është detyrë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të aplikojë të tilla lehtësira procedurale për kompanitë serioze, të cilat kanë punësuar me qindra punonjës dhe janë kontribuueset kryesore në arkën e shtetit. Me këtë nuk them që kontrolli nuk duhet të jetë, përkundrazi, ai duhet të jetë edhe më i fortë dhe sistemi i aplikimi të gjobave duhet të jetë shumë i ashpër në rastet e abuzimeve, por aplikimi i lehtësirave procedurale do të hiqte një barrë të rendë për kompanitë prodhuese duke i dhënë frymëmarrje dhe shpejtësi në punën e tyre. Si ne që operojmë me transportin, ashtu edhe prodhuesit apo tregtarët që operojnë në dogana, detyrohemi të biem pre e kërkesave absurde që nuk i ndesh në sportelet e doganave evropiane. Ndryshimi duhet patjetër.

Mendoni që këto praktika të vendeve europiane janë të realizueshme në kontekstin shqiptar dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim?

 Padyshim që po këto janë praktika që duhet të implimentohen sa më shpejt, pasi është shumë e vështirë të vazhdohet me këtë situatë. Me sistemin kompjuterik “Asycuda” që dogana shqiptare ka në funksion është shumë e lehtë që një ndërmarrje të kryejë on-line nën përgjegjësinë e saj ligjore deklarimin doganor pa qenë nevoja e dërgimit fizik të faturave, dokumenteve shoqërues etj. në doganë. Me sistemin e riskut që bën përzgjedhjen e subjekteve dhe mjeteve për kontroll, në doganë mund të paraqiten vetëm ato mjete që sistemi i përzgjedh për kontroll të plotë fizik, duke ulur kostot e bizneseve (pagesat e shërbimeve në terminalet doganorë). Pra mundësitë teknike janë për realizimin e kësaj, nevojitet vetëm dëshira e mirë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave si dhe përcaktimi i kritereve sa më të sakta për firmat që do të përfitojnë nga këto lehtësira.