Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe ajo e Policisë së Shtetit prezantuan mjetet që po përdorin për të identifikuar transportimin e jashtëligjshëm të parave, mjete këto të mundësuara me mbështetjen e donatorëve.

Këtu përfshihet një skaner për bagazhet i teknologjisë së lartë si dhe skuadra e qenve nuhatës, e cila ka marrë një trajnim të dyfishtë mbi identifikimin e lëndëve narkotike dhe shumave të parave, të cilat janë ofruar nga projekti i financuar nga BE, EU4Focal.

Sot, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe ajo e Policisë së Shtetit, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Qeverisë Gjermane, prezantuan fushatën ndërgjegjësuese për informimin e udhëtarëve mbi rregullat për transportimin e parave brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sipas njoftimit për shtyp, Fushata informon udhëtarët se duhet të deklarojnë shumat e parave mbi 10,000 Euro pranë autoriteteve doganore, në momentin e hyrjes ose daljes nga Shqipëria, për të evituar riskun e shkeljes së detyrimeve ligjore në luftën kundër transportimit të jashtëligjshëm dhe pastrimit të parave.

Limiti prej 10,000 Eurosh është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për sigurimin e kufijve shtetërorë, në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Fushata bëhet e mundur përmes posterave informues të vendosur në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë, si dhe nëpërmjet materialeve informuese të shpërndara në mediat sociale.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Gent Gazheli theksoi rëndësinë e luftës kundër transportimit të jashtëligjshëm të parave dhe mosdeklarimit në pikat kufitare në Shqipëri. Drejtoria e Doganave vlerëson shumë mbështetjen e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, EU4Focal, për dhurimin e skanerit dhe mjeteve të tjera, si dhe për rritjen e kapaciteteve të oficerëve doganorë. Një falenderim i veçantë shkon për Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë dhe GIZ për mbështetjen e tyre nëpërmjet fushatës ndërgjegjësuese mbi detyrimin për të deklaruar në kufi.

Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr u shpreh se: “Bashkimi Evropian mbështet Shqipërinë në sigurimin e kufijve të saj, si pjesë e përmbushjes së detyrimeve për anëtarësim, por edhe për të ofruar siguri tek qytetarët shqiptarë. Kjo përpjekje përfshin ndalimin e transportimit të jashtëligjshëm të parave, shkelje që mund të lidhet me pastrimin e parave dhe krime të tjera. Kjo fushatë është shumë e rëndësishme për të siguruar që udhëtarët janë të vetëdijshëm për kufizimet në fuqi, në mënyrë që të mos cenohen nga mungesa e informacionit. Ne jemi gjithashtu shumë të lumtur që ofrojmë mjete ndihmëse si skanerët dhe njësitë K9 për të mbështetur zyrtarët shqiptarë në punën e tyre të vështirë dhe të rëndësishme”.

Në fjalën e saj, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, u fokusua tek qasja e dyanshme në mbështetjen e autoriteteve kundër transportit të jashtëligjshëm të parave. Kjo është bërë e mundur përmes rritjes së kapaciteteve të oficerëve doganorë për identifikimin efektiv të transportit të jashtëligjshëm të parave dhe rritjes së ndërgjegjësimit të udhëtarëve mbi detyrimin për të deklaruar në kufi. Këto përpjekje së bashku me aktivitete të tjera kundër krimit ekonomik të zbatuara nga Këshilli i Evropës kontribuojnë në rritjen e efektivitetit të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Doganave, projektit të përbashkët me Bashkimin Evropian “Veprimi kundër krimit ekonomik në Shqipëri” dhe Programit Global të GIZ “Lufta kundër qarkullimit të fondeve të paligjshme“, në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë janë instaluar postera informues për udhëtarët. Në mbështetje të kësaj iniciative, do të vijojë një fushatë ndërgjegjësuese në rrjetet sociale përmes një videoje informuese.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin pranë Policisë së Shtetit, Saimir Boshnjaku, në fjalën e tij theksoi se Policia shqiptare mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe partneret ndërkombetare për të forcuar luftën ndaj pastrimit të parave dhe sigurimin e kufijve.

Kreu i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim, Iven Schad, vuri theksin tek rëndësia që ka deklarimi i shumave të parave dhe parandalimi i transportit të jashtëligjshëm të parave për sigurinë në rajon, si dhe për mbrojtjen e ekonomive nga futja e parave të jashtëligjshme në sistemet financiare. Ai theksoi rëndësinë e fushatës ndërgjegjësuese për udhëtarët që nuk janë në dijeni të detyrimeve ligjore. Schad tha: “Jemi të lumtur që bashkëpunimi ynë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Projektin e Këshillit të Evropës, Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri bëri të mundur shpërndarjen e këtij informacioni në të gjithë pikat kufitare. Mbështetja e GIZ u fokusua gjithashtu në rritjen e kapaciteteve të Departamentit të Antitrafikut dhe sigurimin e një qeni nuhatës për njësinë për K9, si një mjet i veçantë për zbulimin e parave të paraportuara. Vlen të përmended fakti se qasja e kombinuar nga Delegacioni i BE-së dhe Këshilli i Evropës për të njëjtën temë ka qenë një sukses dhe paraqet një shembull shumë të mirë të bashkëpunimit mes donatorëve.’

Eksperti i projektit EU4Focal, Javier Agud Sánchez në fjalën e tij përmendi mbështetjen e ofruar për Drejtorinë e Doganave nëpërmjet skanerit të ri për bagazhet, i cili do të mundësoje një identifikim më të mirë të parave të jashtëligjshme që hyjnë në territorin e vendit. Sipas Javier Agud, projekti EU4Focal ka asistuar Institutin e Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit nëpërmjet një programi trajnimi mbi identifikimin e kartmonedhave në pikat kufitare, duke përfshirë edhe Aeroportin e Rinasit.

Të gjitha këto masa përfaqësojnë një kontribut me vlerë nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Qeveria Gjermane në mbështetje të autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe mbrojtjes së kufijve./MONITOR