Tiranë, 25 prill 2014 – Bashkëpunimi në fushën doganore me Kosovën ka qenë temë e tryezës që Kryeministri Rama zhvilloi në selinë e Qeverisë, ku morën pjesë edhe zyrtarë të Prishtinës. Rama njoftoi krijimin e një terminali të përbashkët doganor si dhe çertifikim kombëtar unik për produktet bujqësore.

Procedura në pikat doganore në Vermice dhe Morinë duke nisur nga java e ardhshme do të zgjasin vetëm 10 minuta. Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna, i pranishëm në tryezën e përbashkët Shqipëri-Kosovë, bëri me dije lajmin.

Nderkohe kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama theksoi rëndësinë e krijimit të tregjeve të përbashkëta, krijimin e një terminali të përbashkët doganor, njësimin e çertifikimit sanitar mes Shqipërisë e Kosovës si dhe ngritjen e një këshilli ekonomik kombëtar Shqipëri- Kosovë.

Tranziti i përbashkët do të evitojë kontrollin e dyfishtë në kufi për mallrat që nga Durrësi i drejtohen Kosovës. Për zonat me rrezik të lartë kontrabandimi do të realizohen plane të përbashkëta kontrolli dhe mbikqyrjeje.

Rama deklaroi se luftën me burokracinë dy shtetet e kanë të përbashkët, e po kështu edhe me korrupsionin. Sipas tij, të gjithë ata që shërbejnë në terren të mos jenë pengesë për bashkimin ekonomik kombëtar.

“Une ju propozoj që përveç propozimeve proceduriale ne kemi një dhomë Kombëtare të Tregtisë dhe një Këshill Kombëtar që të organizojë takime periodike një herë në Tiranë e një herë në Prishtinë me praninë e dy ministrave të Financave dhe drejtorëve të Doganave dhe të përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Tregtisë nga të dyja anët dhe me praninë e kryeministrit, kur kjo të shihet e arsyeshme”, – tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se duhet njohur lidershipi i sipërmarrjes në gjithë procedurat. Ai këshilloi njohje të përbashkët të rezultateve të analizave laboratorike që të mos hasen pengesa dhe burokracira.