TIRANË, 26 shkurt 2013- Deputeti i Kukësit në Partinë Socialiste, Asllan Dogjani vijoi edhe sot kritikat ndaj kryesocialistit Rama, duke deklaruar pas mbledhjes së grupit të PS-së, se situata në Kukës nuk ka ndryshuar. 

Sipas tij, problemi i tij nuk qendron në faktin që do jetë apo jo në listat për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, por tek respektimi i rregullave dhe statutit nga ana e Ramës. 

“Në Kukës vijon e njëjta situatë, u janë bërë presione anëtarëve nga qendra, unë i kuptoj ata se kanë kontribuar dhe duan që një ditë kontributi i tyre të vlerësohet. Por do të doja që të bëheshin bashkë për të mbrojtur vlerat. Problemi që kam është se atje nuk po zbatohen rregullat dhe statuti, 250 anëtarë kanë firmosur për këtë dhe më pas këta njerëz janë marrë në telefon nga Rama dhe janë pyetur se pse kanë firmosur, duke u kërcënuar”, tha Dogjani. 

Sipas tij, “Kjo ndodh sepse kuksianët socialistë nuk po dëgjohen, kanë 8 vjet kontribut dhe nuk po dëgjohen. Kryesia të marrë rolin që i takon”, nënvizoi ai.