Kombëtarja do t’i lërë vendin fundjavës radhës Superiores, ku Teuta do të ketë një përballje interesante me Vorën. Skuadra durrsake ka bërë përgatitje intensive gjatë verës, me synimin për të hyrë sa më e konsoliduar në sezonin e ri. Pas një edicioni të kaluar ku rezultatet nuk ishin gjithmonë në lartësinë e pritshmërive, Teuta kërkon të rikthehet si një pretendente serioze për vendet e para në klasifikim.

Mbrojtësi i bluve, Albi Doka, shfaqet i bindur se skuadra është gati për të nisur kampionatin me këmbën e duhur në Durrës. Ai ka vlerësuar Vorën si një kundërshtar cilësor, por ka theksuar se objektivi i Teutës është i qartë.

Vora, sapo ngjitur. Sa e fortë do të jetë?

E dimë që përballë do të kemi një skuadër me eksperiencë dhe lojtarë të fortë, të cilët përpos se vijnë nga një kategori më poshtë, janë ekip i mirë. Gjithsesi, ne jemi përgatitur maksimalisht dhe në fushë do të futemi vetëm për fitore. Objektivi ynë është të nisim kampionatin në shtëpi me rezultat pozitiv.

Një duel i vështirë ndaj Vorës, duke parë fitoren e fundit?

Do të jetë një përballje që pritet të tërheqë shumë vëmendje, pasi dy skuadrat kanë bërë afrime të rëndësishme gjatë merkatos dhe synojnë një start të fortë. Ne kërkojmë të shfrytëzojmë faktorin fushë dhe entuziazmin e nisjes së sezonit.

Si e keni përgatitur takimin ndaj Vorës?

Jemi përgatitur me seriozitet maksimal. E dimë që Vora është një skuadër e fortë, me lojtarë cilësorë dhe me ambicie. Gjatë javës kemi punuar si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë fizik. Kemi analizuar ndeshjet e fundit të tyre për të parë pikat e forta dhe ku mund të shfrytëzojmë hapësira. Besoj se ekipi është gati dhe do të japim maksimumin në fushë.

Sa e vështirë është kjo ndeshje?

Na pret një kundërshtar i fortë, pasi ka një besim të madh duke u nisur nga starti i mirë dhe mbi të gjitha është një ekip me ambicie. Kjo flet mjaftueshëm që ne duhet të jemi seriozë dhe me gjithë fokusin në ndeshje.