Një ish-anesteziolog në Francë është dënuar me burgim të përjetshëm për helmim të qëllimshëm të 30 pacientëve, 12 prej të cilëve me vdekje.
Frederic Pechier, 53 vjeç, u dënua të premten në fund të një gjyqi katër-mujor në qytetin lindor të Besançon.
Pechier u zbulua kishte futur kimikate si klorur kaliumi ose adrenalinë në qeset e infuzionit të pacientëve, një nga rastet më të mëdha të keqpërdorimit mjekësor në Francë. Viktima më e vogël ishte një 4-vjeçar, ndërsa më i vjetri një 89 vjeçar.
“Ju jeni Doktor Vdekja, një helmues, një vrasës. Ju turpëroni të gjithë mjekët. E keni kthyer këtë klinikë në një varrezë.”, thanë Prokurorët.
Kimikatet që Pechier shtoi shkaktonin arrest kardiak ose hemorragji tek pacientët, gjë që kërkonte ndërhyrje emergjente në sallën e operacionit. Kjo shpesh ofrohej nga vetë Péchier, i cili më pas paraqitej si shpëtimtari i pacientit. Por në 12 raste, pacientët nuk mundën që të mbijetonin.
Pechier u vu nën hetim për herë të parë tetë vjet më parë, kur dyshohej se kishte helmuar pacientë në dy klinika në Besançon midis viteve 2008 dhe 2017.
Alarmi u ngrit në vitin 2017 pasi një tepricë kloruri kaliumi u gjet në qesen e infuzionit të një gruaje që pësoi atak në zemër ndërsa po operohej për një problem në shpinë.





