NGA ILIR PAJA
Në shumë shkrime për arsimin, më shumë janë marrë me çështjet e arsimit parauniversitar, maturën shtetërore, administrimin e saj etj. Sot, pas 9 vitesh përvojash për këtë maturë do jemi sintetizues duke thënë: ajo do mbetet vetëm maturi e stafit korrigjues! Por, a ka zgjidhje? Në një shkrim trajtuar më parë në “Shekulli” u shprehëm: “Kur rreshtohen zotat sipas fuqisë së pushtetit në Olimp, përse jo edhe nxënësit?” Pra, shkurt dhe kuptueshëm! Merita e dijes drejt notës 10 më vete dhe kaluesit “mbetës” më vete. Nga ana tjetër, me shkrirjen drejtë cilësimit tani publik, renditja e nxënësve të një qarku, bashkie përmes alfabetit.
Gjithçka tjetër, sidomos në administrimin këtij procesi do kujtohet si një realitet ku dy sistemet, ai publik dhe privat nuk u ndjenë denjësisht të barabartë. Që do të thotë “publik”. Ky është termi tashmë i gjetur duke kërkuar nga kjo qeverisje një të vërtetë. Zotësinë e secilit për t’u ndjerë dikush. Me copa letrash si të ishin debatikas dhe debatikase ose adoleshentët-et e njësiteve guerile përcillej kopja. Nga cilët? Nga vetë stafet e mësuesisë të “betuar” para procesit. Duke iu rikthyer temës sonë do duhet të jemi jo “sfidues” me një projektligj për arsimin e lartë.
Përse e trajtojmë mendimin tonë me modesti. Përveç stafeve të UT-së dhe, fatkeqësisht, më pak atyre të qarqeve, jo të gjithë këto stafe e kanë trajtuar me detaje këtë material reformues. Ai duhet të ishte opinioni dhe tema më e debatuar këto muaj. Duhej të zinte me orë të zgjatura emisione televizive. Të lexohej dhe diskutohej çdo nen, çdo prirje. Dhe jo të merrej një shoqëri e tërë me ushqimin e përditshëm “Kronika e zezë”. Duke përjashtuar disa figura të respektuara të botës universitare dhe akademike, ngulimin e tyre, që mendoj se ka më shumë drejtësi tek këta njerëz se interesa, pjesa tjetër pret të miratohet ligji dhe më pas të ngremë zërin. Do të veçojmë dy detaje në këtë shkrim. Debatin e z. Berisha dhe analizën statistikore të kryeministrit. Ishte hera e parë ku zoti Berisha fjalimin e ngriti, duke e shmangur të qeshurën e tij pas një kauze serioziteti të cilën e ka tradicionale.
Madje, po të mos ishte një rotacion politik, gjithkush prej nesh do ta besonte një shqetësim të tillë. Por duket se opozitë do të thotë të jesh drejtësia vetë, por e pabesueshme në moral kur ende s’ke dhënë llogaridhënie gjëkundi. Gjithsesi, fjalimi tij si figurë që ka jetuar me botën akademike, por nga delir i pushtetit e ka mbyllur brenda vetes ish-atë botë të kahershme në kohë, e bëri sërish oponencën e tij pak argumentuese. Nga ana tjetër kërkesa e prof. A. Fugës me pedagogë dhe pedagoge të UT-së, duke kërkuar takim me kreun e opozitës, nxori në pah dy dallime. Së pari dhe më e trishtueshmja. Politika në atë takim tregoi se është larg një bote të tillë. Nga kjo në mënyrë figurative mendojmë se është i drejtë përcaktimi se politika mbetet tejet populiste, ndërsa jeta akademike do të mbetet kompleksi i saj historik. Duket sikur e përkrah. Ndoshta edhe po. Por në qëllimin e saj ajo do jetë sipërfaqësore. Sepse, të pranosh drejtësinë që buron nga dija, politikës i mbetet fare pak pushtet.
Nga ana tjetër takimi realizoi dhe një mision. E ftoi këtë opozitë të krijojë një ndërgjegje qytetëruese dhe kulturore. Në rast të kundërt i gjithë aksioni integrues do jetë sërish një rrudhosje e mplakur brenda vetes. Nga ana tjetër fjala z. Rama ishte për opozitën një katarsis. Por nga i cili zor se do shpëtojmë shpejt. Mandati dytë 2009-2013 do të mbahet mend për dy “krime”. Mbjellja e tokës me bimë narkotike konvertohej në tregun e moralit përmes një letre me vlerë. Këto ishin diplomat. Këto, bashkë me borxhin publik, ishin doza e një injeksioni vetëvrasës. Fatkeqësisht do duhet të jemi revoltues këtu. Unë i përkas dhe besoj se do t’i mbetem në botëkuptim dijes shtetërore. I arsimuar dy herë brenda saj e ndjej tani dhe më shumë vlerën e tij. Kjo, jo se arsimin privat e “keqtrajtoj” në mendim. E paragjykoj. Dhe jo pa arsye. Paragjykoj blerjen e së pamundurës. E një pafuqie për t’u arsimuar denjësisht. Mjafton një detaj dhe duket se e kemi shpjeguar të gjithën.
A mundet një kalues me notë mesatare 5.34 në gjimnaz kur dhe një poezi s’mundi të ma recitojë në tri vite shkollimi të ndjekë studime për “Shkenca politike”? Por kur denjon t’i kërkojë vetes dhe një “ish” master në privat për “Të Drejtë Ndërkombëtare?” Kur këtij vendi i duhen shumë mësues matematike, fizike, kimie, letërsie. I duhen nxënës që lëndën e filozofisë ta ushtrojnë në tri vite të gjimnazit dhe jo si të ishte “ofertë” që lyp të shitet. Kryeministri foli. Bindshëm. Drejt ose jo do ta tregojë viti i ardhshëm akademik. Por kur kam dëgjuar prej tij, të gjithë ne, se arsimin privat do e çojë drejtë mos jetëgjatësisë fiktive, do të uroja që ky arsim të mbetet prapa atij shtetëror. Nga ky koncept buron një profeci. Kur nis të thuash të vërtetën thuaje të gjithën. Nëse lë vetëm njërën prej saj pa e treguar, atëherë ke krijuar një gënjeshtër të Madhe… Tarifat.
Diskutimi më “përçarës” mes botës universitare dhe studentëve. Nëse opozita bën fushatë me këtë realitet nga më prekësin, auditorët dhe stafet detajojnë problemet e ligjit. Duke parë se ende gjithçka do të marrë trajtën e një debati brenda dijes dhe pak politikës, do të preferoja plot respekt të citoja z. A. Fuga në librin me titull “Rrota e mundimit”. “Bota e interesit është bërë si një liqen artificial me sistem të prishur kanalizimesh ku vijnë derdhen të gjithë përrenjtë e pastër dhe të rrjedhshëm që zbresin nga malet përreth”. Kuptueshëm, pas këtij mendimi thellësisht realist dhe jo pak nëntekstor do të duhet të jemi të qartë. Nga vetë morali ynë plot padrejtësi do duhet të jemi dakordësia e shqetësimeve akademike, tarifave shtetërore dhe të mbetemi larg dijes private. Nëse opozita s’bën dot oponentin e këtij projektligji, mendojmë se udhëheqësi i kësaj “teme” kaq kombëtare i takon t’i mbetet botës akademike. Ndërsa Rilindjes i mbetet të jetë oponenca reale sepse ajo ka ardhur si një kauzë kombëtare integruese! “Të detyrosh ligjin t’i shërbejë padrejtësisë (sipas Volterit) është shkalla më e lartë e një shoqërie në rënie”. Brenda termit publik, i takon shtetit të mbetet publik…i vetvetes!
* Autori është poet, studiues, publicist dhe mësues nga Durrësi.
Marrë nga “Shekulli”, 26 korrik 2015