Zlatan Ibrahimovic do të shkojë për konsultë te doktori më i mirë në botë për gjurin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me synimin për të mbajtur një shpresë për të vazhduar karrierën, pas këputjes së ligamenteve. 35-vjeçari do të trajtohet në qendrën e specializuar në Pittsburg nga specialisti i rinjohurur Dr.Freddie H. Fu, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e Europa League të javës së kaluar kundër Anderlecht. Klubi i Manchester United komunikoi pak ditë më parë se Ibrahimovic do të humbasë të gjithë pjesën e mbetur të sezonit.
Praktikisht ai nuk do të luajë më deri në 30 qershor, atëherë kur i përfundon kontrata me “djajtë”. Dr.Fu është i njohur si më i miri në planet për rikonstruksionin e ligamenteve të gjurit dhe është njeriu i duhur që do t’i thotë suedezit nëse do të ketë mundësinë të rikthehet në nivelet më të larta, apo të heq dorë nga karriera. Fu do të vendosë nëse do të operojë Ibran, apo do ta këshillojë të riaftësohet ngadalë, larg aktivitetit sportiv. Ibrahimovic konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë në epokën e futbollit modern dhe ka shkëlqyer me Ajax, Juventus, dy skuadra e Milanos dhe PSG, praktikisht kudo që ka luajtur me përjashtim të Barcelonës. Edhe sivjet, në moshën 35 vjeç, ai është golashënuesi më i mirë sezonal i ekipit të United, me 28 gola.