TIRANË, 19 mars 2013 – Në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013 BiznesAlbania po zhvillon në të gjitha kryeqendrat e Qarqeve të vendit tonë takime me shoqatat e biznesit me qëllim nxitjen e diskutimeve e debateve serioze për të grumbulluar opinione dhe sugjerime sa më të vlefshme të tyre për problematikat dhe pengesat që hasin bizneset në Shqipëri.
Ndërkaq, synohet që gjatë këtyre diskutimeve të evidentohen mungesat kryesore që has biznesi në vendin tonë në politikat qeveritare e administrative aktuale. Mendimet, sugjerimet dhe kërkesat që do mblidhen gjatë diskutimeve të biznesit në Konferencat Rajonale për Dokumentin e Politikës së Biznesit do të përpunohen dhe do të shërbejnë si rekomandime për partitë politike kryesore në fushatën elektorale të 23 Qershorit 2013.
Këto rekomandime të dala nga aktivitetet e kësaj natyre të organizuara nga BiznesAlbania që është edhe ‘zëri i biznesit të Shqipërisë’ do të prezantohen në formën e një libri të quajtur “Dokumenti i Politikave të Biznesit”, i cili sipas Luan Bregasit do të përmbajë idetë kryesore për çështjet themelore ekonomike, financiare, sociale, etj… që burojnë nga interesat strategjike të interesave strategjike të interesave të komunitetit të biznesit.
Dokumenti do rendisë edhe sugjerimet e bëra nga anëtarët e shoqatave në takimet e drejtpërdrejta dhe diskutimet që BiznesAlbania po mban në qytetet kryesore të Shqipërisë. Dokumenti që do të hartohet do tu paraqitet partive politike kryesore si vizion i komunitetit të biznesit për qeverisjen e ardhshme .Për të arritur këtë do ët shërbejnë propozimet e anëtarëve të bazuara në parimet të rëndësishme sikurse është përmirësimi i klimës së të bërit biznes në Shqipëri pasi aktualisht nga të dhënat e BB situata është tejet shqetësuese për komunitetin e biznesit.
Ndërkaq me rëndësi është mbështetje e biznesit të vogël bazuar në dhjetë parimet e aktit evropian të biznesit të vogël meqenëse ai përbën 90 % të biznesit në Shqipëri dhe shërben si një nga fushat më të favorshme për punësim.
Po kështu me rëndësi sipas Bregasit do jetë përmirësimi i transparencës në marrëdhëniet e biznesit dhe në radhë të parë vetë biznesi duhet të jetë transparent dhe të kërkojë me këmbëngulje që të përmirësohet në maksimumin e mundshëm marrëdhëniet me administratën shtetërore për të gjitha çështjet kardinale si ato me sistemin gjyqësor, me sistemin e regjistrimit të pasurive , privatizimit, të prokurimit , të taksimit dhe të doganave.
Biznesi shqiptar ndërkaq duhet të përgatitet për rritjen e standardeve për asocimin në BE dhe t’i kushtojë rëndësinë e duhur formimit profesional dhe edukimit të punëdhënësve e punëmarrësve sidomos gjeneratës së re.





