Emërimet në administratën e lartë shtetërore nuk po ndjekin kriteret profesionale dhe të integritetit të figurës. Drejtori i përgjithshëm i tatimeve Ceno Klosi është emëruar më 22 tetor 2021 në krye të agjencisë kryesore qeveritare të mbledhjes taksave, pak muaj pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte evindentuar shkelje të shumta të tij gjatë detyrës së mëparshme si drejtor ekonomik dhe finance në OSHEE.

Në raportin e siguruar nga News24 që daton prillin e vitit 2021 KLSH kishte kërkuar deri “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna” për Ceno Klosit, pas konstatimit për raportime jo të sakta të faturave të blerjes në sistetmin tatimor. Në atë sistetim që pas pak muajsh do të ishte tërësisht në dorën e tij.

Kontrolli i lartë i shtetit ka evidentuar se si në librat e blerjes të Oshee për deklarimet e faturave të blerjes në sistemin tatimor, u konstatua se kishte fatura që i përkisnin periudhave ushtrimore të mëparshme ose të lëshuara nga subjektet disa muaj më parë dhe që departamentit të financës, u ishin vënë në dispozicion në muajin e deklaruar. Në librat e blerjeve të muajit mars 2018, u konstatua e deklaruar një faturë me vlerë gati 1,5 milion dollarë pa TVSH e cila i përkiste korrikut të 2017, pra e deklaruar 8 muaj me vonesë.

Veprimet e mësipërme sjellin efekte dhe në raportin e TVSH-së kreditore dhe debitore, duke mos pasqyruar detyrimet e sakta në kohë të shoqërisë, për pagesat e TVSH.
Në rastet e vonesave të tilla të deklarimit të TVSh-së, bizneset private rrezikojnë penalitete dhe gjoba të majme nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që sot drejtohet nga Ceno Klosi. Klsh ka evidentura dhe raste të tjera për të cilat ka rekomanduar të merren masa që procesi i firmosjes së faturës tatimore nga personat e autorizuar, të kryhet me përgjegjshmëri dhe në afatin e duhur.

Nga ana tjetër për Ceno Klosin është kërkuar “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, pra një masë frenuese në karrierën e afërt. Por e kundërta ka ndodhur, Ceno Klosi në qershor të 2021 është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë Kombëtare Ujësjellës -Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta, dhe më pas në tetor të 2021 ngjitet në krye të administratës tatimore, në një kohë që pak muaj më parë KLSH e bënte përgjegjës për deklarime me vonesa të gjata të faturave të blerjes pikërisht në sistemin tatimor.