* Është në kundërshtim me MSA-në, marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore

* Nuk u zbatua detyrimi ligjor për të marrë vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt-akt që vendos të drejta ekskluzive dhe /ose të drejta të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara

* Ishte propozim i pakërkuar dhe jo procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence

* Vendosja e skanerëve në vetëm 5 pika, nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme, nuk mbulon të gjitha pikat doganore

 

DURRËS, 19 qershor 2014 –  Sikurse kanë njoftuar mediet, mes tyre dhe “Dyrrahu”, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimi .

Ky vendim i Komisionit të Konkurrencës “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit” , është marrë qysh më 10 qershor 2014 dhe është bërë publik më 18 qershor 2014.

Autoriteti i Konkurrencës jep ndër të tjera disa arsye që po kërkon zhbërjen e këtij koncesioni: është në kundërshtim me MSA-në, marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore; nuk u zbatua detyrimi ligjor për të marrë vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt-akt që vendos të drejta ekskluzive dhe /ose të drejta të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; ishte propozim i pakërkuar dhe jo procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence; vendosja e skanerëve në vetëm 5 pika, nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme, nuk mbulon të gjitha pikat doganore.

Braçe: Qeveria të blejë pajisjet, por të mbajë vetë shërbimin

Ndërsa kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe Financave, z. Erion Braçe, ka shkruar në statusin e tij në FB: “Bie një nga koncesionet skandaloze të Berishës!! Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur në shkelje të ligjit dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE-në marrëveshjen koncesionare të skanimit te kontejnerëve dhe mjeteve të tjera!! Më në fund!! E vërteta është aty dhe një ditë del në dritë!! Autoriteti i rekomandon Qeverisë së Shqipërisë të rivendosë ligjshmërinë në vend; të ndajë tregun nga shërbimi, d.m.th të blejë pajisjet, por të mbajë vetë shërbimin publik; të bëjë ndryshimet e duhura ligjore për të sanksionuar këtë ndarje në të mirë të interesit publik, qytetarëve dhe sipërmarrjeve. I gëzuar!!”

DOKUMENTI

Për shkak të ndjeshmërisë publike, sidomos të komuniteteve të biznesit në Shqipëri dhe Kosovë, ndonëse këtë problem e ka trajtuar disa herë (shih: http://www.durreslajm.com/ekonomia/monopoli-150-250-milione-fitim-ne-15-vjet-nga-skanimi-i-mjeteve; http://www.durreslajm.com/speciale/skanimi-i-kontejnereve-kosovaret-jo-tarifes-39-%E2%82%AC-te-%E2%80%9Cbaces%E2%80%9D;http://www.durreslajm.com/speciale/skandali-39-euro-per-skanimin-e-kontejnereve-koncesion-monopol, etj),“Dyrrah”-u e sheh të arsyeshme të botojë dokumentin më gjerë.

Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e tij të datës 10.06.2014, shqyrtoi raportin e monitorimit për kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifën e shërbimit të skanimit.

Bazuar në Ligjin nr. 123/2013 datë 25.4.2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si Autoritet Kontraktues, dhe shoqërisë Rapiscan Security, Inc.”, si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, është dhënë me koncesion skanimi i kontejnerëve dhe automjeteve të tjera. Kohëzgjatja e kësaj Marrëveshjeje është parashikuar 15 vjet. Kjo marrëveshje koncesioni është nënshkruar në datën 10 prill 2013, por ende nuk është vënë në zbatim.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezultoi se Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave gjatë procedurës për dhënien e koncesionit sipas procedurës së ndjekur nuk ka respektuar detyrimin e nenit 2/1c dhe 69/1/b të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” pasi nuk kanë zbatuar detyrimin për të marrë vlerësimin e Autoritetit për këtë akt që (germa b) ka vendosur të drejta ekskluzive për ndërmarrjen Rapiscan për produktin e skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera.

Autoriteti i Konkurrencës e ka nisur procedurën e vlerësimit ex-post të kontratës koncesionare në zbatim të nenit 2/1/c të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar) mbështetur në shqetësim publik të komunitetit të biznesit për shtimin e kostos me rreth 20 milionë euro në vit për skanimin e kontejnerëve në dogana dhe të rezolutës së Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2013” ku një nga detyrat është zgjidhja e problematikës së shërbimeve koncesionare ndër të tjera edhe për shërbimin e skanimit të kontejnerëve.

Nga marrëveshja koncesionare rezulton se koncesionari nuk do ta ofrojë shërbimin në të gjitha pikat doganore pesë pika, tre fikse dhe dy të lëvizshme, ndërkohë që janë më shumë pika doganore dhe në këtë mënyrë mbulimi nuk është i plotë.

Komisioni i Konkurrencës konstatoi se Shqipëria ka marrë angazhime konkrete lidhur me tregtinë me vendet anëtare të BE-së. Sipas nenit 33 të MSA-së [Marrëveshja e Stabilizim Asociimit – “Dyrrahu”], “që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë”. Bazuar sidomos në nenin 33 “Pezullimi” të MSA-së parashikohet mos-vendosja e tarifave të reja shtesë doganore qoftë për importet apo eksportet.

Ndërkohë që sipas kontratës koncesionare, vendosen tarifa të reja shtesë, detyrime në kuota të përcaktuara (39 euro), të cilat do të paguhen për ofrimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve.

Vetë ligji që miraton kontratën e koncesionit ka parashikuar një dispozitë, pika 4.3 sipas të cilës: “Në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ose në çdo kohë pas këtij anëtarësimi, Autoriteti (Ministria e Financave) do të ketë të drejtë të kërkojë rishikimin e kësaj Kontrate në mënyrë të tillë që të sigurojë përputhjen në mënyrë të plotë me kriteret e detyrueshme për anëtarësim të Bashkimit Evropian. Nëse, për sa më sipër, Autoriteti vendos të ndryshojë këtë Kontratë, Rapiscan do të ketë të drejtë, pa paragjykuar ndonjë të drejtë tjetër të ofruar nga ligji, të zgjidhë këtë Kontratë pa pësuar ndonjë penalitet ose pasojë ligjore përkundrejt Autoritetit.”

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka hyrë në fuqi në vitin 2009 ndërkohë që marrëveshja koncesionare është miratuar me ligj në vitin 2013, pra rreth 4 vite pas hyrjes në fuqi të MSA. Në këtë mënyrë marrëveshja koncesionare bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA, një marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore sipas parashikimeve të nenit 116 të Kushtetutës.

Si konkluzion Autoriteti i Konkurrencës konkludoi se:

-Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të nenit 2/1/c të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar) ka bërë vlerësimin e kontratës koncesionare, nisur nga shqetësimi publik i komunitetit të biznesit për shtimin e kostos në lidhje me shërbimin për skanimin e kontejnerëve në dogana,

– kontrata e koncesionit bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së, një marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore sipas parashikimeve të nenit 116 të Kushtetutës;

– procedura për dhënien e koncesionit nuk ka respektuar detyrimin e nenit 2/1c dhe 69/1/b të Ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”(i ndryshuar) pasi sipas pikës 1, nuk është zbatuar detyrimi ligjor për të marrë vlerësimin e Autoritetit për çdo projekt-akt që vendos të drejta ekskluzive dhe /ose të drejta të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara.

– Procedura e dhënies së koncesionit ka qenë një propozim i pakërkuar dhe jo një procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence.

– Vendosja e skanerëve në vetëm 5 pika nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme (në varësi të shtimit të fluksit të zhdoganimeve) nuk mbulon të gjitha pikat doganore për të justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin është dhënë koncesioni.

Për sa më lart, Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenin 24, germa (f), nenin 69, pika 1, neni 70, pika 2, të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, (i ndryshuar), me propozim të Sekretariatit, vendosi:

1. T’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”.

2. Institucionet publike duhet të respektojnë parashikimet e Ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar) për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës në dhënien e miratimin e akteve që kanë si objekt ose pasojë dhënien e të drejtave ekskluzive ose kufizime sasiore në tregje ose sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

3. Në procesin e rishikimit të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të mbahet parasysh direktiva e re e BE-së (32014L0023; Direktiva 2014/23/EU e Parlamentit Evropian dhe e këshillit e datës 26 shkurt 2014 mbi dhënien e kontratave të koncesioneve; OJ L 94, 28/03/2014, p. 1–64) që të ndahen qartë tregjet nga shërbimi publik dhe këto të fundit përgjithësisht t’i mbeten shtetit si detyrime pasi nëse kalojnë nga shteti te privati kanë kosto shtesë për biznesin dhe konsumatorin dhe eliminojnë mundësinë e zgjedhjes së biznesit apo konsumatorit pasi ofruesi është gjithmonë ekskluziv (i vetëm).

4. Instrumenti ligjor për rishikimin e kontratës koncesionare është procesi i rishikimit të Kodit Doganor dhe sipas nenit 18.2.1 të Ligjit 123/2013 për miratimin e marrëveshjes koncesionare.

5. Përmbajtja e kontratës rekomandohet si vijon: “Ministria e Financave duke marrë parasysh specifikat e shërbimit doganor për të luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal mund të kontraktojë koncesionarin vetëm për blerjen e pajisjeve dhe shërbimin ta kryejnë organet doganore”.

/përgatiti th. m. /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/