Qeveria e Kosovës do të ketë edhe një betejë tjetër në Gjykatën e Arbitrazhit. Pasi humbi betejën me Z Mobile, është në një tjetër betejë me kompaninë AXOS, institucionet ekzekutive të vendit do të përballen edhe me një padi tjetër.

Hic më pak sesa biznesmeni Behxhet Pacolli dhe kompania e tij “MabCo Sontructions” ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë.

Lajmin e ka marrë vesh Insajderi përmes burimeve të saj, ndërsa vet Gjykata e Arbitrazhit e njohur me emrin zyrtar si Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve e ka publikuar këtë informacion në faqen e Bankës Botërore.

 

Përmes këtij publikimi, Arbitrazhi ka treguar se e ka pranuar lëndën e kompanisë në pronësi të Pacollit më datën 21 korrik.

Në këtë informacion thuhet se subjekti i mosmarrëveshjes është “blerja e aksioneve” dhe hyn te sektori i turizmit, sipas të dhënave të publikuara nga Arbitrazhi.

Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit ka të bëjë me rastin e Hotel Grandit të cilin Pacolli e kishte blerë e më pas i ishte anuluar ky privatizim. Kjo temë ka qenë një ndër më të komentuarat në vitet e fundit në Kosovë, sa i përket skandaleve të privatizimit në vend.

Pranimi i lëndës në Gjyktën e Arbitrazhit është hapi i parë që padia të ecë tutje megjithatë kjo nuk do të thotë asgjë për vendimet që kjo gjykatë mund të marrë.