Tiranë, 21 korrik 2014 – Buxheti shqiptar do duhet të përballojë pagesa të jashtëzakonshme, për shkak se qeveria nuk ka qenë serioze me ish-pronarët. Gazeta zbulon vendimin e Gjykatës Europiane të Njeriut, e cila refuzon kërkesën e qeverisë shqiptare për “ngrirjen” e vendimeve për kompensimin e pronave.

Strasburgu i ka kthyer një përgjigje negative Shqipërisë, por më shumë se sa kosto financiare, e cila mund t’i kalojë qindra milionë eurot, në dyshim është vënë legjitimiteti dhe aftësia e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së pronave.

Që nga viti 1993, kur ka nisur kthimi i pronave, ka pasur me dhjetëra gjyqe në Gjykatën e Strasburgut, ku kërkohej kompensimi financiar nga qeveria shqiptare. Rasti më tipik ka qenë ai i njohur si “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”.

Gjykata e Strasburgut, nisur nga problematikat e njëllojta të kërkesave të qytetarëve shqiptarë, doli me një vendim pilot në vitin 2012. Ky vendim pilot do të shërbente si bazë për marrjen e të paktën 80 vendimeve të tjera kundër Shqipërisë, me një kosto financiare prej qindra milionë eurosh.

Për këtë arsye, në vitin 2013 u ra dakord me qeverinë e atëhershme që “deri më datë 17 qershor 2014, shteti shqiptar që të krijonte një mekanizëm efikas për kompensimin e pronave”, shkruan “Panorama”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/