Fotografi italian Luca Turi është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Durresit për kontributin e dhënë në dokumentimin e ngjarjeve të eksodit të vitit 1991, me anë të fotove. Vendimi për dhënien e titullit në fjalë është marë nga Këshilli Bashkiak në 30 maj të këtij viti, ndërsa sot është zhvilluar ceremonia në Durrës. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, duke i dorëzuar titullin, u shpreh shumë i kënaqur që Këshilli Bashkiak i akordoi këtë titull Luca Turit, pasi ai ka bërë një vepër konkrete që dëshmon historinë e Durrësit në vitet 90.

Vetë fotografi Luca Turi është shprehur se ndihet i vlerësuar me këtë titull: "Me të vërtetë kam qenë në Shqipëri kur ajo kalonte një periudhë të vështirë dhe probleme të llojeve të ndryshme. Unë kam besuar se Shqipëria mund të jetë diçka më e mirë që në atë kohë. Unë jam i dashuruar me Shqipërinë dhe me të vërtetë kam krijuar këtu miqësi të vërtetë me shumë njerëz".

Motivacioni i titullit akorduar fotografit italian është: “Për meritën e vecantë që si njëri prej atyre që e përjetuan në fatin e tyre tronditjen e ikjes masive të rinisë së pashpresë shqiptare në një kohë dilemash të mëdha, e ktheu këtë ngjarje në kujtesë historike në librin e tij, ku një brez i tërë do të shohë vetëveten dhe ata që do të vijnë do të njohin të pabesueshmen”. 

K.H.