Pas eliminimit nga Big Brother VIP Kosova, këngëtari Labinot Rexha ka reaguar publikisht përmes një deklarate të fortë, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e eliminimit të tij dhe duke pretenduar se produksioni kishte qëllim ta largonte para finales.
Përmes postimeve, ai ka ndarë mendimet e tij mbi televotimin, përkrahjen e publikut dhe informacione që thotë se i ka mësuar pas daljes nga shtëpia.
“E sollët zarfin e zi për Labin që ta stoponi popullin, mos me çu vota kinse do e heqim. U pa nga televotimi dëshira e madhe e produksionit për ta nxjerrë, pasi ishte hera e parë në histori që u bënë vetëm 5 vota nga një telefon dhe televotimi ishte Labi kokë më kokë me gjithë fansat e banorëve mrena dhe nuk mjaftoi kjo, edhe thirrja e opinionistëve që ta votojnë me dalë.
Dhe prapë 48% me 52%.
Gjysma e popullit është me të vërtetën edhe pse i kishim kundër të gjithëve”.
Ai theksoi se diferenca në televotim ishte shumë e ngushtë dhe se përkrahja e publikut për të ishte e madhe, pavarësisht rrethanave që, sipas tij, ishin kundër tij.
Në një deklaratë tjetër, Rexha pretendon se pas daljes nga shtëpia ka mësuar informacione të reja që, sipas tij, konfirmojnë dyshimet për eliminimin e tij të planifikuar: “Pas daljes nga shtëpia mora vesh shumë gjëra të ndryshme dhe fjalë të cilat po tregojnë të vërtetën.
Dolen fjalët e Limit që i tha Olsa: duhet me nxjerr Labi me zarf të zi para finales sepse na e merr fitoren se ka vota… Limi, para se të futet në Big, e ka takuar Olsen dhe pas takimit na ka njoftuar me telefon atë ditë që mos u lodhni kot, se Olsa ka me nxjerr me zarf të zi para finales”.
Në fund të reagimit, ai e përmbylli deklaratën me shprehjen “TRUE STORY”, duke lënë të kuptohet se qëndron plotësisht pas pretendimeve të tij.
Në një tjetër reagim ai ka kërkuar transparencë dhe drejtësi nga produksioni.
“Produksion, duket se ende nuk më njihni mirë. Unë ju garantoj se nëse deri të hënën në ora 16:00 nuk publikohen votat reale për të cilat unë kam prova mbi 60.000 vota do të detyrohem të ndjek rrugë ligjore dhe të paraqes ankesë edhe në instancat ndërkombëtare. Nuk është e pranueshme që të bëhet një raund i dytë votimi me vetëm 5 vota për person, kur një gjë e tillë nuk mbahet mend në historinë e formatit. Publiku meriton transparencë dhe sqarim të plotë. Sa i përket debatit në studio, unë jam artist me 30 vite karrierë dhe kam respekt për çdo koleg. Por respekti duhet të jetë i ndërsjellë. Kritika është normale, por duhet të jetë profesionale dhe e barabartë për të gjithë. Unë nuk jam këtu për të ofenduar askënd. Jam këtu për të kërkuar drejtësi, transparencë dhe respekt për publikun që më ka dhënë mbi 60.000 vota brenda një nate. Dhe një gjë ta dini: Ky edicion pa mua dhe pa Albën nuk do të kishte të njëjtën peshë. Me respekt, Labinot Rexha”.






