Aktori britanik Julian Sands është zhdukur në malet San Gabriel javën e kaluar pasi doli për alpinizëm. 65-vjeçari u raportua i zhdukur në zonën Baldy Bowl të premten, mes motit të keq në Kaliforninë jugore.

Policia tha se ekipet e shpëtimit tokësor u tërhoqën nga mali fundjavën e kaluar për shkak të rreziqeve të ortekëve, por kërkimet vazhdojnë me dron dhe helikopter.

Sands është i njohur për rolet në filma të njohur dhe drama televizive, duke përfshirë A Room With A View, 24 dhe Smallville.

Në një deklaratë të ndarë me agjencinë e lajmeve PA, departamenti i Sherifit të Qarkut San Bernardino tha se Sands u raportua i zhdukur rreth orës 19:30 me orën lokale të së premtes 13 janar.

Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit të departamentit “u përgjigjën dhe filluan një kërkim”, shtoi ai, por ishte penguar nga paralajmërimet e rënda të motit dhe kushtet e shtigjeve.

“Megjithatë, ne vazhdojmë të kërkojmë me helikopterë dhe dronë kur ta lejojë moti”, thuhet në deklaratë.