TIRANE Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Sahit Dollapi, administratori i përgjithshëm i operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë, deklaroi se për shkak të keqmenaxhimit të kompanisë nga drejtuesit çekë, dhe jo për shkak të mungesës së energjisë, shumë zona të Shqipërisë kanë mbetur pa u furnizuar me energji elektrike. 

Sipas tij situata në terren do të vijë duke u përmirësuar brenda dy muajve, ndërkohë që thekson se “do t’u pritet energjia elektrike të gjithë atyre konsumatorëve, të cilët janë lidhur në mënyrë të paligjshme në rrjet, ndërhyrjen dhe kontrollin e sistemit të matjes dhe të gjithë elementeve të tjerë që kanë të bëjnë me abuzime dhe me vjedhjen e energjisë elektrike në rrjet, ndërprerjen dhe shkëputjen e të gjithë atyre, që nuk paguajnë energjinë elektrike”.

Ndërsa përmend faktin se kompania është në gjendje të vështirë ai sheh si parësore motivimin e punonjësve për të kryer më më miri detyrat e tyre dhe ky motivim sipas tij do të vijë përmes rritjes së pagave. Shmangia e vjedhjes së energjisë dhe shtimi i arkëtimeve të faturave të papaguara do të jenë prioritete të punës së Dollapit.  

Zoti Dollapi cili është statusi juaj në këtë detyrë të re që keni marrë në menaxhimin e kompanisë çeke CEZ shpërndarje, të cilës sapo i është ndërprerë kontrata për shpërndarjen me pakicë të energjisë në Shqipëri. Cila do të jetë detyra juaj kryesore? 

Statusi im do të jetë administrator i përgjithshëm i kompanisë CEZ Shpërndarje, e cila administron rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe shitjen e saj me pakicë te konsumatorët shqiptarë. Ky status është fituar, ose më është dhënë nga ERE, Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, nëpërmjet një konkurrimi transparent, ku kanë marrë pjesë 6 kandidatura. Mbi bazën e programit të paraqitur nga secili është bërë edhe vlerësimi dhe zgjedhja ime në këtë post. 

Në çfarë gjendje e gjetët kompaninë? 

Nuk më vjen aspak mirë që një kompani, të cilën e pata drejtuar për katër vite me radhë, deri në maj të vitit 2009, ta gjej në këtë situatë. Në kohën e largimit ose dorëheqjes time për shkak të privatizimit të kompanisë Shqipëria furnizohej 24 orë me energji elektrike pa ndërprerë. E njëjta situatë është edhe sot; Shqipëria e ka të gjithë energjinë e nevojshme për t’u furnizuar 24 orë, por ka zona të tëra, pjesë të tëra të Shqipërisë, të cilat nuk furnizohen jo si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, që është detyrë e kompanisë KESH për ta siguruar dhe e institucioneve të tjera, por si rezultat i mungesës dhe dëmtimit të infrastrukturës shpërndarëse të kompanisë CEZ, mungesës së bazës materiale. Ky është edhe objektivi im kryesor dhe emergjent: normalizimi i kësaj situate, pra marrja e masave për kthimin e normalitetit të furnizimit me energji elektrike të gjithë konsumatorëve shqiptarë. 

Çfarë parregullsish keni gjetur në furnizimin që përmendët? 

Nuk mund të them parregullsi, por është mungesë e furnizimit me energji elektrike si rezultat i mosgatishmërisë teknike, i mungesës së bazës materiale për riparimin e defekteve, i mungesës së bazës materiale për mirëmbajtjen e nënstacioneve elektrike, të linjave, të kabinave dhe të shumë elementeve të tjerë të infrastrukturës. 

Media ka shkruar shpesh se CEZ ka patur paga të larta, ndërsa ju përsëri keni thënë se do të rritni pagat. Sa do të ndikojë kjo në punën e kompanisë? 

Kompania ka rreth 4 mijë e 500 punonjës. Në prioritetet e mia është ndërtimi i një strukture funksionale e të thjeshtë, e cila do të përcaktojë dhe do të delegojë detyrat për çdo punonjës të kësaj kompanie, vendin e punës, detyrat dhe përgjegjësitë që ai ka dhe autoritetin që ka ai në zonën që mbulon, në pozicionin që ka, qoftë në drejtim, qoftë në punonjësit bazë më të thjeshtë që janë elektricistët dhe faturuesit. Për këta të fundit dhe për një kategori punonjësish që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me terrenin që në fillimet e mia të punës do të hartoj një plan për përmirësimin e pagave të tyre. Ata kanë vite me paga të pandryshuara dhe i kanë në nivele të ulëta. I garantoj gjithë punonjësit e mi dhe stafin tim që pjesa kryesore jona, duke filluar nga unë, deri tek inxhinierët dhe ekonomistët me përvojë do të ulemi në terren për të përmirësuar situatën me qëllim që kompanisë t’i kthehet autoriteti i saj dhe të fillojë shëndoshja financiare e saj. 

Çfarë do të bëni për të prerë mijëra lidhje të paligjshme në rrjet dhe sa janë humbjet prej tyre? 

Kam një kohë shumë të shkurtër, vetëm katër ditë që kam marrë detyrën në dorëzim dhe duke mos patur shifra të sakta, të audituara dhe shifra zyrtare të dhëna nga struktura të kompanisë CEZ Shpërndarje apo nga CEZ Albania, nuk jam në gjendje të them se cili është niveli i humbjeve apo i arkëtimeve. Sipas të dhënave të marra dhe të trajtuara nga ERE, di që situata në kompani nuk është e mirë, qoftë me nivelin e lartë të humbjeve, qoftë në nivelin e ulët të arkëtimeve. Në këto kushte unë mendoj vetëm për rrugëzgjidhjet e këtij problemi. Këto rrugëzgjidhje janë të qarta për mua dhe për stafin dhe gjithë punonjësit. E para është përkushtimi për punën i çdo punonjësi, dhe kjo ka të bëjë me ndershmërinë dhe profesionalizmin në punë. Çdo punonjës do të mbajë përgjegjësi për kompaninë dhe ta trajtojë atë si një pjesë të tij dhe si pasuri të vetën; pra, duhet ta ruajë nga vjedhjet nga dëmtimet, ta ruajë në tërësi dhe ta shëndoshë atë nga ana financiare. Kjo nënkupton prerjen e energjisë elektrike të gjithë atyre konsumatorëve, të cilët janë lidhur në mënyrë të paligjshme në rrjet, ndërhyrjen dhe kontrollin e sistemit të matjes dhe të gjithë elementeve të tjerë që kanë të bëjnë me abuzime dhe me vjedhjen e energjisë elektrike në rrjet, ndërprerjen dhe shkëputjen e të gjithë atyre, që nuk paguajnë energjinë elektrike. Pra, kriteri kryesor i kësaj kompanie do të jetë puna me një standard dhe jo me dy standarde. 

Ka ndodhur disa herë që rritja e çmimit të energjisë elektrike është menduar si një metodë për të shpëtuar kompaninë nga vështirësitë financiare. Ju, a mendoni ta rritni çmimin për të rritur arkëtimet? 

Jo. Kjo nuk është në planet e mia të zhvillimit të kompanisë. Jo. Nuk kam menduar rritje çmimi. Kompania ka rezerva të mjaftueshme, ka nivel të lartë humbjesh, mbledhja e të cilave do të thotë rritje e nivelit të faturimit. Ndërkohë ka edhe shumë debi të pambledhura nga institucionet shtetërore dhe nga familjarë e privatë. 

Si do t’i mblidhni borxhet e klientëve VIP? Sa borxhe u ka CEZ Shpërndarje të tjerëve dhe sa i kanë asaj të tjerët? 

Nuk kam të dhëna të sakta, që të dal me shifra. Edhe kompania u ka borxhe të tjerëve, por edhe të klientë të tjerë i kanë borxhe asaj. Përderisa nuk kam shifra të sakta, nuk dua të dal tek kjo pikë, apo të nxjerr shifra të paqena. Serioziteti kryesor yni do të jetë saktësia dhe transparenca e shifrave në shpenzime, investime, arkëtime. Çdo shifër, që do të dalë nga kjo kompani, do të jetë e saktë. 

Brenda çfarë kohe, brenda cilit afat ju do të sillni përmirësimet e para në punën dhe shërbimet e kompanisë? 

Unë besoj se brenda një afati dymujor kompania do të ketë strukturën e vet të miratuar, do të ketë strukturën e saj funksionale të vendosur në terren, çdo punonjës do të ketë të qartë detyrën e vet, punën, ngarkesën dhe territorin e vet. Besoj që brenda një afati dymujor do të rifillojë rimëkëmbja dhe përmirësimi i ndjeshëm i treguesve të kompanisë