Dom Gjergj Meta ka dhënë sot një mesazh të fortë nga Shkodra, lidhur me situatën e krijuar nga pandemia, por edhe kriminalitetin e lartë në vend. Dom Gjergj Meta ka renditur disa nga probleme të shoqërisë shqiptare, që ka nxjerrë në pah pandemia.
“Apeli im është ky që duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve mes njëri-tjetrit, t’i kushtojmë rëndësi shëndetit mendor. Pandemia po zbulon disa pandemi të tjera; varfëria, papunësia, problemi i marrëdhënieve ndërfamiljare, dhuna në familje, abuzimet e ndryshme me gra dhe fëmijë, korrupsioni, konfliktualiteti politik që është një gangrenë për shoqërinë shqiptare dhe fatkeqësisht nuk duket se ka shenja që do zbutet kjo gjë”, është shprehur ai.
Dom Gjergj Meta i ka dhënë këto mesazhe gjatë një shfaqejeje të zhvilluar në Shkodër, kushtuar Lekë Tasit, intelektualit 92-vjeçar, që vuajti nga regjimi monist.
Mesazhi i plotë:
Akoma nuk kemi arritur që ta tresim atë që ka ndodhur mbi popullin tonë. Akoma nuk ka një kërkesë falje për atë që i është shkaktuar popullit tonë. Shpresojmë që këto plagë të mos mbyllen dhe të plotësohen me kohën dhe personat që dinë se çfarë ka ndodhur të tregojnë dhe të kenë kurajon për të kërkuar falje.
Kisha katolike dhe meshtarët katolikë kanë vuajtur bashkë me gjithë të tjerët, në këtë burg të madh të Shqipërisë që ka qenë për rreth 50 vite. Problemi është se ky burg në mënyra të tjera po vazhdon. Edhe këtë periudhë 30-vjeçare tranzicioni fatkeqësisht ka treguar se ende nuk i kemi tejkalu disa probleme, disa ndarje dhe sundimin e disa njerëzve mbi disa të tjerë. Kështu që shpresojmë që një vetëdije që na vjen edhe nepërmjet artit të shohim se çfarë ka ndodhur dhe të shohim drejt të ardhmes.
Unë do kisha dashur një shoqëri shqiptare më të vetëdijshme që të thonë se hajt se tani ka kaluar ajo kohë dhe të shohim drejt të ardhmes, por një ardhme nuk mund të ndërtohet mbi një të kaluar të pavetëdijësuar dhe është njësoj si të ndërtosh një shtëpi mbi rrënoja. Pajtimi duhet medoemos për atë që ka ndodhur në vendin tone, por edhe të shohim drejt të ardhmes duke parë mirë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.
Unë shoh kriminalitetin aktualisht në Shqipëri që është një gjë tjetër, i bazuar në interesa ekonomike, pushtetin në zona të caktuara të kriminelëve apo kriminalitetit apo zona ku kultivohen bimë narkotike, të trafiqeve të ndryshme, për arsye të sundimit të paligjshmërisë, korrupsionit dhe ky është problemi më i madh. Problemet e rendit janë prezente në Shqipëri dhe mund të jenë për shkak të kaosit që ka krijuar pandemia por edhe një kaos social që është pak planetar por edhe këtu në Shqipëri është më i fuqishëm akoma dhe nuk po i japim zgjidhje.
Apeli im është ky që duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve mes njëri-tjetrit, t’i kushtojmë rëndësi shëndetit mendor. Pandemia po zbulon disa pandemi të tjera, varfëria, papunësia, problemi i marrëdhënieve ndërfamiljare, dhuna në familje, abuzimet e ndryshme me gra dhe fëmijë, korrupsioni, konfliktualiteti politik që është një gangrenë për shoqërinë shqiptare dhe fatkeqësisht nuk duket se ka shenja që do zbutet kjo gjë. Shpresoj që të kemi një këndvështrim më të gjërë të problemeve që po nxjerr në pah pandemia, që kanë ekzistuar por po dalim edhe më shumë në pah. Duhet të shikojmë me shpresë drejt të ardhmes, por duhet edhe të kurojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe sidomos duhet që të kemi një vetëdije sociale pak më të fuqishme, më të fortë.