Nga Klodian Tomorri
Një pjesë e opinionit publik është e shqetësuar se shuma e madhe e kredive të mobilizuara një ditë më parë në konferencën e donatorëve do të rrisin borxhin publik të Shqipërisë, madje duke kërcënuar stabilitetin e vendit. Ky shqetësim I qytetarëve është i mirëkupetueshëm. Një pjesë e tij buron edhe nga kakofonia mediatike, që shpesh në ngjarje të këtyre përmasave është e paevitueshme. Megjithatë rritja e borxhit dhe falimenti i Shqipërisë është një rrezik që nuk mund të ndodhë.
Kufiri i huamarrjes dhe borxhit publik është i përcaktuar në ligjin për buxhetin e shtetit. Një qeveri nuk mund të marrë borxh përtej këtij niveli. Për vitin 2020, niveli i humarrjes që lejon buxheti për qeverinë është përcaktuar në 39 miliardë lekë ose rreth 319 milionë euro. Kaq borxh mund të marrë qeveria për të gjithë vitin, asnjë lekë cent më shumë.
Nëse një institucion apo vend donator del sot dhe deklaron se do të japë 2 miliardë euro kredi me interes zero për Shqipërinë, qeveria shqiptare nuk mund t’i marrë dot.
Maksimumi, që ajo mund të marr është 320 milionë euro dhe brenda kësaj shifre një pjesë është borxh I brendshëm, që merret nga bankat vendase. Në të kundërtën orientimi I të gjithë huamarrjes në tregun e jashtëm do të shkaktonte probleme në tregun financiar vendas, për shkak se një pjesë e mirë e biznesit të bankave buron nga blerja e borxhit të qeverisë.
Përtej kufirit të huamarrjes që është përcaktuar në buxhet, ka dhe një filtër tjetër që nuk lejon rritjen e borxhit. Ai është rregulli fiskal. Sipas një ligji të miratuar në vitin 2016, qeveria është e detyruar që çdo vit niveli i borxhit publik si përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar të vijë duke u ulur. Pra nëse në fund të vitit të kaluar borxhi publik neto ishte 64.9 për qind e Prodhimit Kombëtar, në fund të këtij viti shifra duhet të jetë me patjetër më e ulët, përndryshe qeveria bie në paligjshmëri.
Pyetja llogjike që mund të shtrohet në këtë rast është se si ka mundësi, që edhe pse qeveria merr 320 milionë euro borxh të ri në vitin 2020, borxhi publik si përqindje e prodhimit kombëtar ulet? Edhe pse në dukje një paradoks I pamundur, ky është një fenomen plotësisht normal. Borxhi publik ulet për shkak të rritjes ekonomike dhe rritjes natyrale të çmimeve. nëse qeveria do të merrte shumë më tepër se 320 milionë euro borxh për këtë vit, atëherë borxhi publik do të rritej, për shkak se huamarrja do të ishte më e lartë se sa shuma që amortizon rritja ekonomike dhe inflacioni.
Por t’i rikthehemi rrezikut të rritjes së borxhit. Ka vetëm një mënyrë se si qeveria mund të rrisë borxhin. Ai është përmes një ligji të ri, që ndryshon buxhetin e shtetit 2020 dhe një ligji tjetër të ri, që shfuqizon rregullin fiskal. Por nëse qeveria do të vendosë të bëjë një gjë të tillë atëherë kompanitë ndërkombëtare të ratingut dhe institucionet që monitorojnë ekonominë shqiptare do të vepronin menjëherë duke deklasuar financat e Shqipërisë. Ky është një rrezik që nuk do ta merrte asnjë qeveri racionale.
Ironikisht donatorët më të mëdhënj të kredive në konferencën e një ditë më parë, janë pikërisht ata që nuk e lejojnë qeverinë të marrë borxh më shumë se kufiri i përcaktuar në buxhet. Rrjedhimisht shqetësimit e tipit se kreditë e donatorëve do e rrisin borxhin në 80 për qind, janë një risk që nuk ka gjasa të ndodhë. Kush e njeh buxhetin, e di mire kete.