Ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, ka deklaruar se do të vijnë prokurorë dhe hetues nga Uashingtoni për të hetuar politikanët e lidhur me krimin në Shqipëri. Ai zbuloi se Edi Rama ka qenë në muajin prill në zyrat e FBI-së ku është rënë dakord edhe për modalitetet, pra se si do të ndihmojë FBI-ja, Byronë e Hetimit në Shqipëri.
Më tej ai foli për Emiljano Shullazin dhe bosët e krimit të lidhur me politikën.
“Në Shqipëri bosët e trafikimit të drogës, si Emiljano Shullazi, i cili për shumë vite është akuzuar për vrasje për trafikim por vetëm së fundmi është arrestuar. Shqipëria ka nivelin më të ulët të ndëshkueshmërisë për bosët e krimit, të cilët lëvizin lirshëm për shkak të lidhjes me njerëz me ndikim në shtet”, u shpreh ambasadori amerikan.
“Situata në Shqipëri është serioze, por reforma në gjyqësor dhe ligji i dekriminalizimit do të bëjnë të mundur shkëputjen e lidhjeve krim-politikë. Shqiptarët janë të lodhur me këto situata”, vijoi më tej ambasadori Lu.
“Ne mbështetim një prokurori të veçantë për korrupsionin në nivelin e lartë. Për të mbështetur Byronë, do të angazhohet FBI-ja. Rama ka vizituar zyrat e FBI së në prill. Kështu një grup hetuesish e prokurorësh do të vijnë nga Uashingtoni për trajnimet. Pra do të jenë njerëz pa lidhje politike. Është në interesin e SHBA-së dhe të BE-së që të trajtohen problemet e krimit të organizuar në Shqipëri”, u shpreh ambasadori Donald Lu.





