Ndonëse procesi i vettingut është bllokuar dhe zbatimi i reformës në drejtësi është komplikuar disi, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, thotë se viti 2017 ka për të qenë i shkëlqyer për shqiptarët, pasi sipas tij, do të ketë hetim të korrupsionit në nivele të larta. Deklaratat ambasadori amerikan i bëri gjatë një takimi të Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë.
“2017-ta do të jetë vit i shkëlqyer për Shqipërinë, vit që nis me zbatimin e reformës ne drejtësi që do transformojë klimën e biznesit. Po ashtu, viti 2017 do të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare që do të garantojnë stabilitetin demokratik dhe vënien e vendit në shinat drejt integrimit. Viti 2017 do të trajtojë korrupsionin në nivele të larta nëpërmjet Byrosë së Hetimit dhe strukturës së posaçme antikorrupsion. Disa njerëz mendojnë se unë jam optimist, por unë jam realist dhe shoh që po vijnë gjëra të mira për Shqipërinë”, është shprehur Lu.
Diplomati amerikan në Tiranë ka luajtur një rol të rëndësishëm publik për miratimin e reformës në drejtësi. Protagonizmi i tij ishte tejet i lartë dhe në jo pak raste Lu ka thënë se kam porosi nga presidenti Obama për miratimin e kësaj reforme. Veç tij, në krye të këtij procesi ka qenë edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.





