Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, i ka bërë një thirrje të fortë qeverisë shqiptare lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore. Donald Lu i ka kërkuar qeverisë të dorëzojë me urgjencë fondet për gratë dhe fëmijët që bien viktima të trafikimit.
Në konferencën rajonale kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kryediplomati amerikan tha se do të krijohet një rrjet rajonal bashkëpunimi kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku qëllimi është jo vetëm strehimi i këtyre viktimave, por edhe që ata të kenë siguri dhe vetëbesim.
“Rrjet rajonal bashkëpunimi kundër trafikimit. Qëllimi afatgjatë nuk është vetëm vendosja e viktimave në strehë, por që ato të kenë siguri dhe vetëbesim. U bëjmë thirrje qeverive të rajonit, por veçanërisht Shqipërisë, të ofrojnë fonde për strehimin e grave dhe fëmijëve të trafikuar. Këtu ka nevojë që qeveria jo vetëm të angazhohet politikisht për të siguruar financim, por të dorëzojë fonde pa vonesë për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikut”.
Ambasadori Lu kërkoi edhe dënim maksimal për trafikantët e qenieve njerëzore.
“Kanë qenë burrat që i shitën këto vajza. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me gjithë fuqinë e ligjit. Për ta bërë këtë vendet e këtij rajoni duhet të mendojnë për zbatimin e ligjit në kontekst rajonal. E përgëzoj Shqipërinë për udhëheqjen rajonale për parandalimin e trafikimit të fëmijëve. Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një çështje që mund të zgjidhet pa bashkëpunim rajonal. DASH e kupton këtë dhe ka dhënë një grant për të mbështetur qeverinë. Jemi entuziastë për punën inovatore të këtij projekti në përpjekjet për integrimin e viktimave”, deklaroi Donald Lu.





