Prodhuesit e mëdhenj amerikanë të automjeteve, i kanë cilësuar kritike tarifat e vendosura nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, pasi mund të ndikojnë në rritjen e çmimit për konsumatorët.
Ford, GM dhe Stellantis, në një deklaratë nga Shoqata Amerikane e Prodhuesve të Automobilave (AAPC), kanë paralajmëruar se këto tarifa do të rrisin çmimet për konsumatorët.
Tre prodhuesit kryesorë amerikanë të automjeteve, deklaruan se do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë për politikat që ndihmojnë amerikanët, por po bëjnë thirrje që të ruhet konkurrueshmëria në prodhimin e automjeteve amerikane veriore, duke përfshirë Kanadanë dhe Meksikën.
Tarifat prej 25% që Trump vendosi të caktojë për makinat e prodhuara jashtë SHBA-së, do të kenë një ndikim negativ në sektorin e automobilave në mbarë botën, përfshirë prodhuesit amerikanë të automjeteve, paralajmëroi Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave.
“Ne i bëjmë thirrje Presidentit Trump që të marrë parasysh ndikimin negativ të detyrimeve doganore jo vetëm në prodhuesit globalë të makinave, por edhe në industrinë vendase të SHBA-së”, tha Sigrid de Vries, drejtore e përgjithshme e Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave (ACEA).
Pas njoftimit të Presidentit Trump për tarifa shtesë prej 25%, Shoqata Britanike e Prodhuesve të Automjeteve i bëri thirrje Londrës dhe Uashingtonit të arrijnë një marrëveshje për të shmangur një goditje ndaj industrisë britanike.
“Në vend që të vendosim tarifa shtesë, ne duhet të eksplorojmë mënyra për të krijuar mundësi për prodhuesit britanikë dhe amerikanë,” tha Mike Howse, drejtor i përgjithshëm i shoqatës së industrisë SMMT, në një deklaratë të mërkurën vonë në mbrëmje.
Britania është aktualisht në negociata me SHBA-në në një përpjekje për të përfunduar një marrëveshje ekonomike që do ta lejonte atë të shmangte tarifat amerikane, të cilat kanë goditur shumë vende prej javësh.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi presidentin amerikan të shpallte dje tarifa shtesë prej 25 % për makinat, të cilat do të zbatohen nga 2 prilli për të gjitha makinat që nuk janë prodhuar në SHBA.
“Ky vendim nuk është befasues, por është zhgënjyes”, sipas Hawes , i cili vuri në dukje se ai u bën thirrje të dyja palëve që “menjëherë të fokusohen dhe të përfundojnë një marrëveshje për të mirën e të gjithëve.”