Një prej zyrtarëve më të lartë të Koresë së Veriut, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për vizitën e parë prej afro 20 vitesh, pas takimit me Sekretarin e Shtetit, Pompeo, mbërriti edhe në Uashington për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump.
Gjenerali Kim Yong-chol pati si mision dorëzimin e një letre nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, homologut amerikan të këtij të fundit, presidentit Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, pas diskutimeve të mbajtura me të, doli në një konferencë për mediet duke zyrtarizuar pjesëmarrjen në samitin e 12 qershorit.
Vizita e tij vjen një ditë pasi takoi Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Nju Jork, ku diskutuan mbi samitin historik që pritet të ndodhë mes dy udhëheqësve. Trump e anuloi pak ditë më parë samitin e programuar për më 12 qershor, por prej asaj kohe palët kanë rënë dakord të vazhdojnë përpara me dialogun.
Nëse ndodh vërtet siç ishte parashikuar, në Singapor, takimi historik do të ishte i pari mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një kryetari shteti nga Koreja e Veriut.





