Gjykata federale e Apelit mbajti në fuqi të hënën gjetjet e jurisë në padinë civile ndaj zotit Donald Trump se kishte abuzuar seksualisht një autore në një dhomë provash në një qendër luksoze dyqanesh në mes të viteve 1990.
Gjykata e Apelit në Nju Jork publikoi një opinion që e mban në fuqi dëmshpërblimin prej 5 milionë dollarësh që një juri në gjykatën e Nju Jorkut kishte përcaktuar se i duhej dhënë autores E. Jean Carroll për shpifje dhe abuzim seksual ndaj saj.
Zonja Carroll dëshmoi në gjyqin e vitit 2023 se zoti Trump e kishte shndërruar një takim miqësor në vitin 1996 në një sulm të dhunshëm pasi ata si me shaka u futën në një dhomë provash të qendrës tregtare.
Zoti Trump e braktisi procesin gjyqësor pasi mohoi në vazhdimësi të ketë ndodhur sulmi. Por ai dëshmoi shkurt në gjykimin për shpifje, që lidhej me këtë rast në fillim të këtij viti, që rezultoi në vendimin për një dëmshpërblim prej 83.3 milionë dollarësh. Ky gjykim për shpifje u bë pas komenteve të zotit Trump, nga pozita e presidentit, në vitin 2019 pasi autorja Carroll i kishte bërë akuzat publike në një libër biografik.
Në vendim, trupa prej tre gjykatësish të apelit, i hodhi poshtë pretendimet e avokatëve të zotit Trump se gjykatësi i çështjes, Lewis A. Kaplan kishte marrë disa vendime që kishin ndikuar në procesin gjyqësor, përfshirë vendimin e gjykatësit për t’u lejuar dy grave të tjera që kishin akuzuar zotin Trump se i kishte abuzuar seksualisht, të dëshmonin në këtë gjykim.
Gjykatësi gjithashtu e kishte lejuar jurinë që ta shikonte video-regjistrimin e njohur të emisionit ‘Access Hollywood’, ku zoti Trump paraqitej duke bërë komente ofenduese ndaj grave.
“Arritëm në përfundimin që zoti Trump nuk ka ofruar prova se gjyqi i qarkut ka bërë ndonjë gabim në vendimet e sfiduara”, thuhet në opinionin e Gjykatës së Apelit. “Për më shumë, ai nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për të dëshmuar se gabimet e pretenduara ndikuan në të drejtat e tij themelore dhe si rrjedhojë për të krijuar nevojën për një gjykim të ri”.
Në shtator, që të dy, zonja Carroll, 81 vjeçare dhe zoti Trump, 78 vjeçar, u paraqitën për të ofruar argumentet e tyre në Gjykatën e Nju Jorkut.
Zëdhënësi i zotit Trump, Steven Cheung tha përmes një deklarate se zoti Trump është zgjedhur nga votuesit për një “mandat gjithëpërfshirës dhe ata kërkojnë t’i jepet menjëherë fund përdorimit politik të sistemit tonë të drejtësisë dhe përfundim të gjuetisë së shtrigave, përfshirë rastin e rremë të (autores) Carroll, e cila është e nxitur nga demokratët, rast ky që do të vazhdohet të apelohet”.
Avokatja Roberta Kaplan, që përfaqësoi autoren Carroll gjatë gjykimit, tha përmes një deklarate se “edhe mua edhe zonjën E. Jean Carroll na gëzon vendimi i sotëm. E falënderojmë Gjykatën e Qarkut të Dytë për shqyrtimin e kujdesshëm të argumenteve të parashtruara nga palët”.
Juria e parë mori vendim në maj të vitit 2023 se zoti Trump kishte abuzuar seksualisht autoren Carroll dhe se kishte shpifur ndaj saj përmes komenteve të bëra në tetor të vitit 2022. Kjo juri mori vendim që zonjës Carroll t’i paguhen 5 milionë dollarë dëmshpërblim.
Në janar, një juri tjetër vendosi që zonjës Carroll t’i paguhet një dëmshpërblim prej 83.3 milionë dollarësh për shkak të komenteve që zoti Trump i bëri ndaj saj gjatë kohës kur ishte president, duke arritur në përfundim që ato përbënin shpifje. Gjykatësi i rastit e kishte udhëzuar këtë juri që ta pranonte si të mirëqenë gjetjen e jurisë së parë se zoti Trump abuzoi seksualisht autoren Carroll.
Zoti Trump dëshmoi për më pak se tre minuta në gjykimin e dytë dhe nuk u lejua t’i sfidojë gjetjet e jurisë në maj të vitit 2023. Megjithatë, ai u lejua të qëndrojë në sallën e gjykimit gjatë procesit dy javor dhe anëtarët e jurisë e dëgjonin teksa shprehte pakënaqësinë e tij.
VOA