Presidenti Donald Trump ka hedhur poshtë një raport të publikuar nga The New York Times, i cili pretendon se Elon Musk do të informohej nga Pentagoni mbi planet e mundshme ushtarake të SHBA-së për një konflikt me Kinën.

Raporti, i cili citon zyrtarë anonimë amerikanë, pohon se Musk do të merrte një prezantim mbi këto plane nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë, përfshirë admiralin Christopher W. Grady, i cili aktualisht shërben si ushtrues detyre i kryetarit të Shefit të Shtabit.

Në një postim të bërë më 20 mars në platformën e tij Truth Social, Trump e quajti këtë raport një shembull tjetër të “lajmeve të rreme” nga The New York Times, duke e cilësuar atë si “qesharak”.

“Ata thanë, gabimisht, se Elon Musk do të shkojë nesër në Pentagon për t’u informuar mbi një luftë të mundshme me Kinën. Sa qesharake! Kina as që do të përmendet apo diskutohet gjatë vizitës së Musk në Pentagon më 21 mars,” – shkroi Trump.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, reagoi gjithashtu në rrjetin social X, duke sqaruar se vizita e Musk në Pentagon do të kishte në fokus inovacionin dhe efikasitetin në qeveri, dhe jo “plane të fshehta lufte kundër Kinës.”

Ndërkohë, disa ligjvënës demokratë dhe organizata të ndryshme kanë ngritur shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi, duke pasur parasysh ndikimin e Musk në kompani si Tesla dhe SpaceX – kjo e fundit një kontraktues i madh i qeverisë federale për teknologjinë hapësinore dhe mbrojtjen.

Nëpërmjet rolit të tij në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), Musk po udhëheq përpjekjet e administratës Trump për të reduktuar burokracinë dhe për të siguruar që politikat e qeverisë të përputhen me vizionin e ish-presidentit “America First”.

Raporti i The New York Times vjen në një kohë kur tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë përshkallëzuar për çështje si teknologjia, tarifat tregtare, siguria kibernetike, Tajvani dhe origjina e COVID-19.