Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka tërhequr ftesën për Kanadanë për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes”, organi i ri ndërkombëtar i krijuar prej tij, raporton BBC.

Në një postim në platformën Truth Social, drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney, Trump shkroi se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën për anëtarësimin e Kanadasë. Presidenti amerikan nuk dha asnjë arsye konkrete për këtë vendim.

Vendimi vjen pak ditë pasi Carney kishte bërë bujë me deklaratën e tij për një “çarje” në rendin global të udhëhequr nga SHBA. Kanadaja kishte sinjalizuar më herët se ishte e gatshme të bashkohej me bordin, por pa paguar tarifën e anëtarësimit.

Sipas administratës amerikane, anëtarët e përhershëm të Bordit të Paqes do të duhet të paguajnë një tarifë prej 1 miliard dollarësh për të ndihmuar në financimin e këtij mekanizmi të ri, gjë që Otava ka refuzuar ta bëjë.

Zyra e kryeministrit Carney nuk reagoi menjëherë pas postimit të Trump, megjithëse javën e kaluar ai kishte deklaruar se, në parim, do ta pranonte ftesën e presidentit amerikan.