FSHF-ja bën me dije se ka nisur shitja e biletave për ndeshjen eleminatore zyrtare të 24 marsit, e cila do të luhet në Palermo, mes Italisë dhe Shqipërisë. Ky ballafaqim është caktuar të zhvillohet në stadiumin “Renzo Barbera”. Në dispozicion të tifozëve shqiptarë janë biletat, që korrespondojnë me sektorin e tifozëve miq, ndërkohë që çmimi i tyre është 12 euro. Të gjithë sportdashësit dhe personat e interesuar duhet të drejtohen pranë selisë së FSHF-së për t’u pajisur me biletë, ndërsa me vete duhet të kenë kartat e identitetit.
Trajneri De Biazi ka bërë një tur inspektues të lojtarëve kuqezinj, në klubet ku luajnë, duke u interesuar për formën e gjithsecilit. 60-vjeçari nga Sarmede ka dhënë së fundi një intervistë për “TMw”, ku ka nënvizuar mes të tjerash: “A mund ta kisha drejtuar Palermon këtë vit? Kam folur dy herë me Zamparinin. Por nuk kisha dëshirë të hiqja dorë nga kombëtarja shqiptare. Nuk ishin kushtet e duhura. Shpejt do të kthehem në Palermo, më 24 mars, për kualifikuesen Itali-Shqipëri. Kam qenë aty një muaj më pare, sepse pashë nga afër hotelin, stadiumin, logjistikën. E ardhmja ime në drejtimin e Shqipërisë? E mbyll kontratën në fund të sezonit, do të flasim përsëri. Zgjedhjet bëhen nga të dyja palët. A do të merrja në konsideratë drejtimin e një klubi? Nëse ekziston dëshira për të bërë një projekt serioz, përse jo?”