Qeveria shqiptare nga e hëna do kufizojë sërish daljen nga shtëpia të qytetarëve. Sipas një njoftimi, nga e hëna do ketë një regjim të ri, ku do dalë vetëm një anëtar i familjes, vetëm një orë për të bërë pazarin.
Qytetarët do të duhet të dalin për të bërë pazar apo për shërbime të tjera vetëm një orë në ditë, vetëm një pjesëtar i familjes dhe duke marrë leje tek autoritetet. Më poshtë keni të gjithë mënyrën se si duhet të veproni për të marrë leje për të dalë nga banesa.
NJOFTIMI I PLOTË:
“Leje për dalje” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson qytetarëve të aplikojnë online për t’u pajisur me leje për të dalë nga banesa e tyre për arsye të ndryshme si: për pazar, farmaci apo arsye të tjera urgjente.
Dokumentacioni i nevojshëm: Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.
Hapat e procedurës: Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Leje për dalje”; Klikoni butonin “Përdor”; Kryeni aplikimin duke përzgjedhur orarin, si dhe personin që do të dalë nga familja juaj (në rastet kur nuk jeni ju personalisht).
Vetëm një anëtar i familjes mund të aplikojë për leje për dalje gjatë 24 orëve brenda fashës orare të lejuar 05.00-13.00; Në rast se një nga anëtarët e familjes punon në një qytet të ndryshëm nga vendbanimi aktual, lejohet të vijojë aplikimi për leje dalje dhe për këtë anëtar, pasi kryhet në kohë reale verifikimi mbi vendodhjen e punës; Miratimi do të dërgohet në adresën e-mail që keni përdorur për regjistrimin në portalin në e-Albania dhe/ose sms. – Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë. Policia mund të verifikojë në kohë reale nëse një qytetar ka një miratim të autorizuar ose jo.
Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit: Menjëherë.
Kostot: Pa pagesë.
Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit mund të kontaktoni në adresën [email protected]





