Nisur nga rasti më i fundit i peshengriteses Evangjeli Veli, e cila u pezullua në gusht nga të gjitha aktivitetet pasi rezultoi me doping në Kampionatin Europian, kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza deklaroi nga Durrësi se secili sportist mban përgjegjësi personale.
Sipas tij, kemi të bëjmë me sportistë të papërgjegjshëm, ndërkohë që theksoi se të gjitha rastet me doping të peshëngritësve shqiptarë kanë ndodhur gjatë stërvitjes së tyre në Greqi.
“Tashmë ne kemi bërë në moton tonë një luftë shumë të ashpër kundër dopingut dhe sportistët bashkë me trajnerët përjashtohen për gjithë jetën nëse rezultojnë pozitivë për doping“, tha ndër të tjera z. Gjoza.
Evangjeli Veli bëri 9 deri në 11 kontrolle nga VADA në mënyrë të pavarur për vitin 2022 dhe testi i fundit ka qenë gjashtë ditë para europianit.
Sportistja Veli e përdori medikamentin ose ampulën në momentet e zhvillimit të europianit dhe lajmi për pezullimin e saj bëri bujë më 23 gusht të këtij viti.