Nëse do ta shikojmë në këndvështrimin se sa është përjetësuar figura e gruas durrsake në artin e së bukurës, do të shohim një varfëri tejet të mjerë, ku dhe ato pak zonja shqiptare, të cilat kanë arritur të bëjnë emër në historitë e qytetit tonë, ekzistojnë aq të minimizuara në anën figurative në vepra fizike, por dhe në vepra arti. Teuta, mbretëresha ilire, njëra prej figurave të njohura të antikitetit ekziston si skulpturë e një artisti italian, të kohës së fashizmit e vendosur në majë të ish-bankës shtetërore, tani bankë private. Por përveç skulpturës së vendosur në një vend public asgjë më tepër nuk është bërë për të. Në një kohë që cilido shtet, po të kishte një personalitet të tillë, do ta kishte bërë “mal” figurën e saj në art. Do t’ju bëja thirrje të gjitha grave dhe vajzave durrsake, që të përpiqen të bëjnë më shumë vetë ato për emrin e tyre, për gjininë e tyre të bukur, per vetveten, duke e dashur vetveten akoma më shumë sot, që nesër të duhen dhe të nderohen siç e meritojnë edhe nga gjinia e fortë burrërore. Gjini kjo, e cila do të bëjë mrekullira për hir të tyre. Burrat në vende të tjera të botës, kanë krijuar vepra arti, deri hyjnore me duart e tyre, vetëm e vetëm për hir të dashurisë, të bukurisë dhe mirësisë së grave me shpirt të bukur, të cilat kudo që hedhin këmbën lënë gjurmën e mirësisë.

Femrat kanë filluar të bëhen të domosdoshme në çdo fushë të jetës edhe pse numri i tyre është i paktë. Por është vetëm fillimi. Jam mëse e sigurtë që me kalimin e viteve femra, do të marrë një pozicion shumë të rëndësishëm, jo vetëm në shoqëri po kudo. Një shoqëri e emancipuar nuk mund të bëjë pa femrat. Për mendimin tim gruaja është lubrifikanti më njerëzor për këtë popull. Një femër është shumë e aftë për të drejtuar sikurse dhe burrat. Këshilltarët më me vlerë në çdo lloj situate për burrat, kanë qenë dhe janë femrat. Femra është ajo qenie delikate, e brishtë, e zgjuar, e fortë, e sinqertë dhe askush nuk mund ta mposhtë, dhe burrat do të bënin mirë të mësonin prej saj. E imagjinoni dot një botë pa motra, pa nëna, pa gra, pa shoqe e mikesha? Do të thosha që jeta pa to është shumë e vështirë në mos e pamundur që të vazhdohet të jetohet. Po të kishin delikatesën e femrave, mendoj se burrat do e shikonin botën dhe femrën ndryshe. Burri është koka, por gruaja është qafa që vendos se nga cila anë duhet të lëvizë!

Kujtim Fusha:Femra, forcë e madhe e lëvizjes shoqërore, në të gjitha aspektet e jetës, ekonomike, politike, sociale e kulturore. Deri në çfarë pike ne meshkujt shqiptarë jemi të emancipuar, që të kuptojmë se roli i femrës në zhvillimin e shoqërisë është vendimtar, apo jo. Apo duhet të qëndrojmë gjithmonë tek ajo thënia: “Femra e zbukuron botën, ndërsa mashkulli e ndryshon atë”. Fakti, që këtu në Forumin Durrsak nga eksperienca e njohjes në bordin drejtues ka më shumë femra se meshkuj tregon qartë shkallën e emancipimit të meshkujve në këtë grupim. Flas me respekt për zonjat shumë të nderuara si: Eny, Morena, Lorena, Arjona, Aida, të cilat përveçse janë nëna të përkushtuara në familjet e tyre respektive, jane aktiviste të palodhshme dhe në shoqërinë ku punojnë dhe jetojnë. Ndjej obligim të them, se këto zonja të nderuara kanë një vizion të qartë për të ardhmen dhe se e meritojnë vërtet të flasësh me respekt për punën e tyre të palodhshme, në familje, në punë, në shoqëri. Janë vërtet luftëtare të denja, kanë shumë dashuri per punën, jetën, njerëzit dhe familjen, meritojne vërtet atë thënien, pse jo “Femra mund ta ndryshojë dhe botën"

Eny Biduli:Jam gjithmonë e mendimit që: “Pas çdo Burri të madh, qëndron një Femër e madhe”. Si dhe jam e mendimit që Evolucioni i shoqërisë ecën përpara me hapa të barabarta prej shumë vitesh. Shumë thënie të vjetra e kanë konfirmuar që Femra është një qenie e madhe, e cila përmban brenda saj misterin e jetës. Si përfundim, shumë gjëra mund të shkruhen në këtë temë kaq të bukur, por mendoj se vetëm e verteta e thënies:"Pa Femrën nuk ka ekzistencë njerëzimi", ka thënë gjithçka mbi rëndësinë e saj.

Gjergji Anastasi:Më pëlqen kjo fraza në komentin tënd: Jam gjithmonë e mendimit që pas çdo Burri të madh, qëndron një Femër e madhe". Me këtë kuptoj se duhet të jetë një burrë i madh që të ekzistojë një femër e madhe, pasi për ndryshe? Unë mendoj se femra në Shqipëri dhe kudo në botë, mund të realizojë të gjitha objektivat që mund të ketë edhe një mashkull. Isha para dy ditësh në Nizza dhe vura re një sjellje të një femre, sa më erdhi turp. Po pse, me këtë shembull unë do klasifikoj të gjithë kategorinë FEMËRORE? Do ishte gabim i madh nga ana ime.

Aida Pema Himçi:Nëqoftëse njeriu pësoi zhvillim ndodhi sepse femra përzgjodhi më të evoluarin (shkencërisht e vërtetuar), përsa i përket shoqërisë shqiptare është kokë e këmbë maskiliste (pavarësisht vlerësimeve publike që mund të jepen). Më sjell ndërmend një rast: të zgjedhim FILANIN, sepse është BURRË, kjo jo për të shkuar më larg se argumenti në fjalë.  Nuk i duam femrat burrërore që të shahen si në parlament dhe të kërcënojnë siç ndodh në politikë (shyqyr që janë vetëm pak shembuj). Fare mirë mund të përmendim rastin, kur një burrë shteti pa shenjën më të vogël të edukatës flet në drejtim të një personaliteti me fjalë që nuk janë të nivelit që ai përfaqëson, sikurse dhe në parlament dalin në të shara në drejtim të pjesës femërore të familjes. Ky është respekti dhe vendi që i japin të ashtuquajturit personalitete, femrës shqiptare. Mund të imagjinojmë se ç'ndodh me atë që fatkeqësisht nuk ka nivel intelektual të lartë. Me butësinë, edukatën, nuhatjen dhe aftësinë e organizimit, femrat janë të afta të vendosin përpara familjen edhe kur buxheti familiar është i vakët. Mund ta themi me shumë bindje, që ajo është e aftë të drejtojë dhe shoqërinë, derisa është e sukseshme të drejtojë bërthamën e kësaj shoqërie. Familja është baza dhe drejtohet nga gruaja. Ju burra, imagjinoni si do të ecte vendi ynë përpara dhe jo vend numëro si tani. Femrat kanë qenë drejtuese në shoqërine tonë, tani i kemi si imazhe dhe sfond dekorativ. Kush ka një pozicion nuk arrin të bëjë punën ashtu siç duhet dhe ashtu siç ligji e kërkon, sepse pengohet nga interesat e aktorëve politikë. Megjithatë unë them: më thuaj çfarë origjine ke, të të them sa i emancipuar je.

Kujtim Fusha:Nuk them se shoqëria shqiptare është perfekte në këtë drejtim Aida, por diçka ka ndryshuar, shikojmë shumë femra në poste drejtuese, si në politikë, në media, në art, emancipimi dhe ndryshimi kërkon kohën e duhur, nuk vjen me “shkopin magjik”. Diçka ka ndryshuar në këto 20 vite tranzicion, shoqëria shqiptare nuk është më si më parë. Ajo është më vetëdishme për rolin e femrës në zhvillimin e shoqërisë dhe kjo nuk është pak. Ku janë këto meshkujt e forumit, pse nuk komentojnë? Dua të di idenë e tyre për këtë temë. Apo nuk janë emancipuar akoma? Do të presin dhe 20 vite të tjera të emancipohen?

Aneo Zhurka:Sa ishte bota matriarkale, Zoti ishte femër, kur bota u bë patriarkale, Zoti u bë mashkull. Femra është krijuese nga vetë Natyra. Kot nuk thonë: Atij i pjell mendja, domethënë e ka mendjen femër. Prandaj burrat kanë patur një rol vendimtar në krijimin e shoqërisë, sepse nga fakti që nuk ishin krijues si femra dhe krijimtarinë e tyre e zhvendosën në aspekte të tjera dhe roli i femrës në shoqëri mbeti thjesht ai i Nënës. Kush është përfaqësuesja e denjë e De Beauvoir në Shqipëri? A ka të tilla në Shqipëri? Fondamentalizmi feminist, në vend që t’i shërbejë Gruas, e skllavëron akoma më tepër. Çdo formë espresioni që lind nga represione të ndrydhura, sjell vetëm shkatërrim. Loja e tërheqjes se litarit ndërmjet Femrës dhe Mashkullit I LEVERDIS VETËM LITARIT.

Lorena Meta: “Të edukosh një burrë, ke edukuar një familje. Të edukosh një grua, ke edukuar një komb”-Rabindanat Tagora. Sipas kontekstit historik, femra në familjen shqiptare gjithnjë ka bërë "politikë", por vetë asnjëherë nuk e ka marrë rolin si politikë-bërëse dhe ia ka deleguar burrit këtë rol me shumë mjeshtëri dhe finesë. Studiuesi amerikan Tip O'Neil, ka shkruar një libër për politikën ku është shprehur se: politika në çdo rast është vendore, por tek vendorja është gruaja më e pranishme se burri, për arsye se ajo është një menaxhere e vogël. Nëse më parë femra ka ndenjur e fshehur, në kohët e sotme është mjaft e rëndësishme që gruaja të dalë si një forcë e konsoliduar. Mashkulli duhet ta pranojë forcën intelektuale të femrës dhe nuk duhet ta shohë atë si pasive. Duhet t’i jepet fund diskriminimit gjinor. Duhet që femra të ketë mundësi reale dhe shanse të barabarta shkollimi dhe punësimi, të drejta dhe detyrime të barabarta.