Itali, 16 korrik 2014 – Dorëheqja e Antonio Contes ka ardhur si rrufe në qiell të hapur në shtëpinë e Juventusit. Përmes një letre të hapur, presidenti Agnelli shpreh trishtimin për largimin, por edhe mirënjohje për punën e suksesshme të ish trajnerit.
“I dashur Antonio. Ishe një lider i madh për djemtë tanë dhe ky lajm më ka trishtuar pafundësisht. Mendoj për tre vitet që kemi kaluar bashkë, tre vjet që kanë shërbyer për të shkruar historinë e kësaj shoqërie me tre tituj kampionë radhazi, dy Superkupa Italiane, por mbi të gjitha me rritje të jashtëzakonshme të ekipit”.
Letra e Agnellit përfundon me një faleminderim për gjithçka në adresë të Contes dhe me zotimin se për Juventusin, sezoni i ri do të nisë nga zero, me zero pikë dhe zero fitore, ashtu si skuadrat e tjera. Me dorëheqjen e tij i ka habitur të gjithë ish tekniku që e riktheu Zonjën e Vjetër drejt majave të futbollit.
Për Gigi Buffon, largimi i Contes është një humbje e madhe, megjithatë puna e tij nuk do të zhduket, por do të jetë ende e pranishme te bardhezinjtë. Ndërkohë ish drejtuesi i Juves, Luciano Moggi beson se skuadra do të vazhdojë të luftojë për tituj, edhe në mungesë të Contes. I surprizuar si të gjithë nga ky divorc krejt i papritur, Moggi tha se tentoi ta telefonojë për të marrë vesh arsyet e dorëheqjes, por Conte nuk i është përgjigjur.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





