Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pranuar dorëheqjen e Gert Bogdanit nga detyra e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Duke vlerësuar angazhimin e Bogdanit për të forcuar lidhjet e Partisë Demokratike me partitë simotra, me PPE dhe me organizatat rinore të qendrës së djathtë europiane, Basha thekson se kontributi i Bogdanit do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në sfidat që Partia Demokratike ka përpara për Shqipërinë si Europa.
Në detyrën e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Demokratike, Basha ka emëruar Arben Kashaku, i njohur nga profesionistët e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare si drejtues i suksesshëm i ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian.
Kashaku është në profesion jurist dhe pas përvojës 5-vjeçare si drejtues i lartë në Ministrinë e Integrimit, ka punuar në disa organizata dhe shoqëri ndërkombëtare.





