Nga Aldo Mustafa – Gazetar
Sot e vërteta është madhështore dhe nevoja për të nuk ka qenë kurrë më akute se në momente të tilla, prandaj në rastin kur ne e zbulojmë këtë të vërtetë me vlerë, nuk duhet ta konsiderojmë thjesht privilegj, por na lind detyrimi ta përhapim atë. Ashtu siç tashmë ish-deputetja Duma, ka një lidhje të ngushtë me Durrësin, do t’i heq një vijë paralele dorëheqjes së saj me atë që po ndodh me politikën e Partisë Demokratike në Durrës dhe si rrjedhojë në të gjithë vendin, duke qenë se dihet që Durrësi është një barometër, përsa i përket motit politik në vend.
Në mungesën e një politike “fair”, pra të drejtë dhe etike, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe kur figurat femërore nuk duhet të jenë të zonjat e vetes, sepse pas tyre duhet të qëndrojë patjetër një histori epitetesh, por “kush e ka aparatin tretës në tru, mund ta përdorë gojën edhe për jashtëqitje”, do të thoshte Duma. Sot ky aparati tretës i ri, i shfaqur në mënyrë kronike vitet e fundit, nuk ndodhet vetëm tek mazhoranca, shumica, por e gjejmë edhe në opozitë, në atë të vjetrën sidomos, sepse të re nuk do të ketë edhe për disa kohë!
Sot opozita e “bashkuar dhe e hapur”, në fakt nuk është hapur ndaj askujt tek i cili është i rëndësishëm të ruhet një farë integriteti etik, intelektual dhe shoqëror. Sot opozita nuk është “e hapur”, sepse ka zgjedhur të luajë një lojë të vjetër për të ardhur në pushtet, duke nënvlerësuar se tashmë shqiptarët nuk manipulohet, por kuptojnë më shumë nga ajo çfarë opozita ofron përtej fjalëve. Me kokëfortësi dhe kryeneçësi, opozita po zgjedh të ecë në disa shtigje pa krye edhe pse disa individë ua kanë treguar rezultatin e kësaj rruge.
Demokratët kudo që i takoj në Durrës dhe Shijak janë mëse të bindur se Partia Demokratike nuk do të fitojë asnjërën prej dy bashkive, sepse as ata vetë nuk dëgjohen dhe është bërë e modës tashmë që dhe kur rezultati dhe gjithçka është i parashikueshëm, nuk ndërmerren veprime! Intelektualët nuk dëgjohen, nuk trajtohet si aset! Ata të cilët kanë kontribut në këtë parti prej shumë vitesh, nuk u njihet dhe fjala e tyre është as më pak e as më shumë se fjala e një llafazani të radhës, i cili nuk e ka mësuar ende vendin, por që me shumë mundësi do e zbulojë së shpejti!
Dorëheqja e Dumës, vjen pikërisht në këtë moment, sepse ka zbuluar të vërtetën, atë madhështoren, të nevojshmen dhe akuten, e cila duhet shpërndarë. Pyesni veten çfarë lidhje ka kjo me Durrësin dhe më tej me vendin? Prej disa kohësh tashmë opozita në Durrës, riciklon si në çdo qytet duke mbetur në vend! Nuk lë figura të reja të “ngrenë krye”.
Disa individë bëhen “dash kurbani” për qëllimet e disa të tjerëve. Farsa më e re që po luhet në opozitë janë primaret! Në primaret që pritet të mbahen në Durrës deri më tani Arlind Boshku është i pari që bën të ditur emrin si propozim i bazës, ndërsa një emër tjetër i cili ende nuk ka konfirmuar kandidaturën është Igli Cara. Pretendentët janë të shumtë dhe kjo nuk do të ketë rëndësi, sepse në fund kandidati për kryetar bashkie, do të caktohet Igli Cara. Arsyeja? E thjeshtë, asnjë figurë tjetër nuk mundet pasi nuk ka pasur askush një hapësirë promovimi të mëtejshme! Pra ende pa nisur primaret, kemi një fitues të paracaktuar në opinion dhe që pritet të konfirmohet formalisht.
Nëse do të bënim një listë të burrave dhe grave në Partinë Demokratike të Durrësit, të cilët për shkak të pozitës së tyre publike, mund të quhen si latues të opinionit publik, atëherë do të kishim një listë shterpë! Në disa aspekte të jetës politike të përditshme në opozitë, individët të cilët e mendojnë veten se janë të lirë, në fakt ende nuk e kanë kuptuar që secilat grupime simpantizantësh, sundohen prej diktatorësh që ushtrojnë pak më shumë pushtet se ata dhe femrat janë subjekt komandash të “padukshme”, dy herë më shumë se meshkujt në këtë tërren agresiv-pasiv.
Pra duke luajtur me një klishe të vjetër, apo qoftë edhe duke propaganduar dhe manipuluar me një të re, trupa e aktorëve të farsës, janë duke zhvendosur një tërësi të mendimeve të masave, të cilët po thellojnë hendekun në këtë parti mes atyre të cilët kësaj farse po i kuptojnë prapaskenat dhe atyre që nuk shohin përtej asaj që shfaqet. E vërteta korridoreve të opozitës po qarkullon, elementët intelektual përbëjnë cënim për injorancën që po mbështetet dhe fitorja në kushte të tilla bëhet më e largët. Dorëheqja e Grida Dumës, nuk është vetëm dorëheqja e një deputeti, por është edhe tërheqja e të gjithë mbështetësve të cilët po ulërasin të vërtetën që askush në opozitë nuk dëshiron të dëgjojë!
E vetmja gjë tek e cila nuk duhet të dyshojw askush ama, është fakti i vetëm se demokraci, socializëm, diktaturë, quajeni si të doni, qëllimi i të gjithave mbetet i njëjtë dhe i barazvlefshëm, marrja dhe mbajtja e pushtetit me çdo mjet apo mënyrë, sa më gjatë të jetë e mundur, pasi injoranca përbën fuqinë e kohëve!