DURRËS, 11 maj 2013 –Kandidati, njëkohësisht koordinator i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDIU) që kryesonte listën për qarkun e Durrësit, Fatmir Voloti, ka dhënë dorëheqjen, ka konfirmuar për “Dyrrah”-un kryetari i këshillit bashkiak të Durrësit, por edhe kryetari potencial i degës së PDIU-së, arkitekti i talentuar dhe biznesmeni Indrit Hamiti.
“Pabesia”
Ndërkaq Hamiti nuk është i informuar nëse Voloti kalon tek Aleanca Popullore e Artur Dojakës, sikurse shkruan e përditshmja “Dita”, e afërt me të majtën.
Në degën e PDIU-së janë të revoltuar me “pabesinë” e biznesmenit të ndërtimit që dorëheqjen e ka deklaruar me anë të një telefonate.
Një nga pjesëtarët e listës, që nuk dëshironte të identifikohej për të mos acaruar më tej situatën, i tha “Dyrrah”-ut se është habitur me veprimin e Volotit: të paktën duhej të informonte paraprakisht strukturat për tërheqjen e tij dhe jo t’i shkaktonte probleme partisë.
Mësohet se përfaqësuesi ligjor i PDIU-së në KQZ ka kërkuar që të fusë emrin e kandidatit Ilir Tahiri në krye të listës, ndonëse nuk figuron fare në atë të shpallur.
“Dora” e Dakos?
Ndërkaq, burime nga kampi i majtë “fërkojnë” duart, duke thënë se ky veprim i Volotit është “vepër” e kryebashkiakut Vangjush Dako, që njihet si mik për kokë i biznesmenit çam.
Voloti ka kontribuar që votat e komunitetit të vet t’i jepeshin si emër Vangjush Dakos për kryetar bashkie, kurse si parti – PDIU-së.
Madje, Voloti nuk votoi në këshillin bashkiak pro bashkëpatriotit dhe bashkëpartiakut, Indrit Hamiti, për t’u zgjedhur kryetar i këshillit bashkiak.
Titull elektoral
Po ashtu, jo pa “djallëzi” është dhe ceremonia e datës 27 prill 2013 për dhënien e titullit “Mirënjohje e Qytetit” skulptorit të njohur Idriz Balani.
Balani e ka merituar me kohë titullin, madje dhe dekorimin me medaljet dhe urdhrat më të lartë si një nga artistët më të shquar.
Por bashkia socialiste mund ta kishte vlerësuar më herët, pasi skulptori ka punuar në bashki (korrik 2001-2004, drejtor i arsimit, kulturës, rinisë, sportit e komuniteteve fetare në bashkinë e Durrësit; janar 2005-qershor 2006 drejtor në drejtorinë rajonale të monumenteve të kulturës dega Durrës); jo vetëm kaq, për një kohë të gjatë ka qenë kryetar organizate socialiste në Plazh.
Kjo lëvizje e Dakos synon tërheqjen e një numri sa më të madh çamësh në konsolidimin e partisë tjetër çame, Aleanca Popullore, pjesë e koalicionit të majtë.
Lista paraprake e PDIU-së për qarkun e Durrësit
Fatmir Voloti
Sali Bajo
Jonada Mano
Tasim Besho
Abaz Hado
Anika Tane
Skënder Gjoni
Arben Xhemali
Hysen Bajrami
Edlira Bojari
Riza Alushi
Keidi Sejdiu
Eqrem Hoxha
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





