Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se numri i serbëve që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në veri, ka shkuar në shtatë.

Një ditë më parë është raportuar për tre dorëheqje të serbëve nga policia.

Në një konferencë për media, pas vizitës në qytetin e Klinës, Osmani ka thënë se fajtori për këto dorëheqje është në Beograd.

“Ka tashmë informata të konfirmuara, sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve që, rrezikimi i këtyre pjesëtarëve, frikësimi, shantazhimi, vijnë drejtpërdrejt nga Serbia. Burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta ilegale dhe kriminale në Kosovë t’iu bëjë presion qytetarëve serbë, të cilët janë pro-integrimit, të cilët janë pro-bashkëpunimit, dhe të cilët janë pro-shfrytëzimit të të drejtave që ua ofron atyre edhe kushtetuta, por edhe Marrëveshjet e Brukselit”.

Sipas REL, ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për shkeljen e Marrëveshjeve të Brukselit.

Mes tjerash, Osmani ka thënë se në bashkëbisedime private me zyrtarë ndërkombëtarë, ata e pranojnë se presioni ndaj policëve serbë në Kosovë vjen prej Serbisë dhe strukturave të saj.

“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat edhe kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve, pra të jenë serbë, varësisht nga kompozicioni i komunave. Unë pres nga BE-ja që të ndërmarrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkelje të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Dorëheqjen e policëve serbë e kanë komentuar më 17 gusht edhe diplomatë ndërkombëtarë që i përfaqësojnë vendet e tyre në Kosovë.

Megjithatë, as Ambasada amerikane në Prishtinë dhe as Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) nuk i kanë përmendur arsyet që kanë rezultuar me dorëheqje.

Rreth 550 policë serbë në veri  në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok  patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.