Ministri i ri i Financave, Arben Ahmetaj nuk është mirëpritur nga stafi me të cilin bashkëpunoi ish-ministri Shkëlqim Cani. Zëvendësimi i titullarit të kreut të financave të shtetit shqiptar ka sjellë një gjendje kaotike në Ministrinë e Financave, pas emërimit të Arben Ahmetajt, që me entuziazëm e mori postin e kryefinancierit. Por, largimi i Canit është shoqëruar me largime masive nga Ministria e Financave. Brenda një kohë të shkurtër, stafi që la Cani gati është përgjysmuar. Vetëm në disa ditë janë larguar mbi 3 drejtorë të sektorëve të ndryshëm të Ministrisë së Financave, duke refuzuar bashkëpunimin me ministrin e ri, Arben Ahmetaj. Burime pranë ministrisë kanë bërë me dije, se disa drejtorë por edhe specialistë, kanë dhënë dorëheqje pasi kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ministrin Arben Ahmetajn. Kështu, së fundmi është larguar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse, Ergys Misha. Dorëheqjen e ka dhënë edhe drejtori i Përgjithshëm e Politikave Makroekonomike dhe e Çështjeve Fiskale, Musa Hyka dhe drejtoresha e Politikave Fiskale, Arjana Dyrmishi. Nga Drejtoria e Politikave Fiskale është larguar edhe juristja Arminda Murrizi. Ndërkaq, së fundmi është emëruar një drejtoreshë e re tek drejtoria që është përgjegjëse për koncesionet. Është mësuar se largimet janë bërë për shkak se drejtorët nuk pranuan të bashkëpunojnë me ministrin Ahmetaj, i cili thuhet se ka shkuar me mision nga Rama për të bërë disa koncesione në shkelje me ligjin. Një prej tyre është dhe koncesioni për mbledhjen e TVSH, për të cilin është përfolur edhe emri i vëllait të kryeministrit, Olsi Rama. Ka qenë vetë ish-ministri Cani që ka deklaruar se qeveria do të japë këtë shërbim me koncesion dhe kjo ishte arsyeja pse ai u largua nga Ministria e Financave dhe u zëvendësua nga Arben Ahemetaj. Cani ka refuzuar të japë mbledhjen e TVSH me koncesion dhe është përfolur se pikërisht për këtë arsye Rama mori vendimin ta hiqte nga posti i kryefinancierit dhe të vend të tij të emëronte një person më bashkëpunues. Ka edhe një fakt tjetër që e lidh Ahmetajn me koncesionin për TVSH. Projekti për të dhënë me koncesion mbledhjen e faturave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është propozuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në kohën kur ajo drejtohej nga Arben Ahmetaj. Por, mesa duket për këtë koncesion ka shumë papajtueshmëri. Ashtu si Cani, duket se edhe drejtorët nuk kanë qenë dakord për këtë koncesion, dhe në vend që të bashkëpunojnë me Arben Ahmetajn, kanë preferuar të humbasin vendin e punës në një prej ministrive më të rëndësishme.
Ahmetaj nuk lë Investimet
Ministri Arben Ahmetaj nuk dorëzon kurrsesi Drejtorinë e Investimeve. Kjo drejtori ka lëvizur në varësi të lëvizjeve nga një post në tjetër të Arben Ahmetajt. Kështu, Drejtoria e Menaxhimit të Investimeve Publike fillimisht ishte në varësi të Ministrisë së Financave që deri pak kohësh drejtohej nga Shkëlqim Cani. Por, këtë drejtori e kërkoi Arben Ahmetaj që të kalonte tek Ministria e Ekonomisë që drejtohej prej tij. Me një vendim, kjo drejtori kaloi në varësi të ministrit Ahemetaj, pra tek Ministria e Ekonomisë. Por, pas lëvizjeve të reja në këto dy ministri, varësia e drejtorisë sërish ka ndryshuar. Më emërimin e Arben Ahmetaj në krye të Ministrisë së Financave drejtoria për Investimet sërish u zhvendos tek Financat dhe nuk u la të menaxhohej nga ministrja e re e Ekonomisë, Milva Ikonomi.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/





