Ish-kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka dhënë dorëheqjen këtë të martë, në atë që rezulton edhe si afati i fundit përpara se të marrë detyrën e presidentit të vendit, pas presidencialeve të fituara bindshëm gjatë muajit të kaluar.

Këtë njoftim, ai e bëri përmes një letre të shkurtër të dërguar Parlamentit, ndërsa nga e mërkura do të hyjë në pallatin presidencial për të pasuar kreun e shtetit në largim, Tomislav Nikoliç.

Vuçiç, i cili është edhe kreu i partisë konservatore në qeveri, asaj Progresive Serbe, do të marrë tashmë një post kryesisht ceremonial, por gjithsesi pritet të ushtrojë mjaftueshëm pushtet përmes kontrollit të progresistëve dhe aleatëve të tyre në koalicionin qeveritar.

Deri në emërimin e kryeministrit të ri, që pritet të ndodhë nga mesi i qershorit, ministri i Jashtëm i Serbisë, njëkohësisht zv.kryeministër i parë, Ivica Daçiç do të shërbejë si kryeministër kujdestar.