Tiranë, 1 gusht 2014 – Vjen dhe "ndryshimi" i parë në kabinetin e qeverisë ‘Rama”. Ilirjan Celibashi zgjedh të largohet nga posti i Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Vendin e tij e pason, Ermonela Felaj.
Kjo u bë e ditur sot në një konferencë për shtyp nga kryeministri Edi Rama që konfirmoi se Celibashi largohet nga kjo detyrë pas një vendimi tërësisht personal. Rama falenderoi Celibashin për përkushtimin dhe integritetin e lartë profesional dhe moral për të përballuar këtë detyrë në një funksion të krijuar rishtaz në qeverinë e re.
Kryeministri Rama deklaroi se gjatë 300 ditëve të para të qeverisjes nuk ka menduar asnjëherë për riformatimin e kabinetit të tij.
Celibashi: Dorëheqja ime personale
Në fjalën e tij Celibashi falenderoi Kryeministrin dhe Partinë Socialiste për besimin që i kanë dhënë dhe ka theksuar se arsyet e tij janë tërësisht familjare, personale.
“Jo për kompromis të rastit, por ka qenë një periudhë mjaft mbresëlënëse për mua kjo periudhë 300-ditore. Arsyet janë tërësisht personale. Arsyet, motive dhe interesi gjithashtu. Shpresoj që me këtë akt të mos dëmtoj askënd, pasi si qytetar i kësaj republike, nuk do t’ia lejoja vetes që këtë vendim ta merrja në një moment tjetër duke pasur parasysh atë që kjo qeveri ka arritur në 300 ditë. Gjej rastin të shpreh mirënjohje të thellë për Kryeministrin Rama dhe PS-në për vlerësimin që i bënë kapaciteteve të mia profesionale, por edhe si njeri. Ka qënë privilegj për mua të përfaqësoja Partinë Socialiste. Kjo vendimarrje e imja nuk ka vënë aspak në dyshim, besimin dhe bindjen time të kahershme tek Edi Rama për seriozitetin dhe përgjegjësinë që ai ka marrë”, theksoi Celibashi.
Felaj: E emocionuar që pasoj Ilirjanin
Ministrja e re e Shtetit Ermonela Felaj falenderoi për detyrën që iu besua.
“Më lejohet të jem më e emocionuara nga të gjithë, i shpreh gjithë angazhimin tim moral profesional për të qenë në lartësinë e detyrës. Ndihem shumë mirë që do të pasoj punën e Ilirjanit, me të cilin jam koleg edhe në profesion. Kështu që më vjen mirë do të kem mundësi të bashkëpunoj me të. Lidhur me detyrën e re, në vijim më tepër do flasë vetë puna”, tha Felaj.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





