Gara për titullin kampion në Itali duket e mbyllur dhe këtë e pranon edhe Stefano Pioli. Trajneri i Milanit, foli në prag të transfertës ndaj Lazios me superlativa për rrugëtimin që po bën Interi i Inzaghit.

Kreu – “12 pikë nga vendi i dytë janë shumë në këtë pikë të sezonit dhe mendoj se diskutimi për titullin kampion është mbyllur. Interi po ecën me një ritëm të jashtëzakonshëm, pasi kishte një kalendar të vështirë, por e kaloi duke i fituar të gjitha ndeshjet. Nuk besoj se do të ketë më histori”.

Titulli në derbi? – “Nuk e di, nuk merrem me llogari matematikore. Jam i përqendruar te ndeshja ndaj Lazios”.

Zona Champions – “Allegri është mjeshtër i llogarive dhe thotë se me 70 pikë e ke të sigurt zonën Champions. Megjithatë të mos shohim nga renditja, por t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”.