Pas disa javësh protesta të studentëve dhe opozitës që akuzuan qeverinë për tragjedinë e 1 Nëntorit në stacionin e trenit në Novi Sad, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, bën një hap pas.
Ai pranoi kërkesat e manifestuesve për publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me rikonstruksionin e atij stacioni të përfunduar këtë vit, por që shembja e një pjese të tij shkaktoi vdekjen e 15 personave dhe plagosjen e 2 të tjerëve.
Protestuesit akuzuan qeverinë për korrupsion, neglizhencë dhe nepotizëm. Këta faktorë bënë që punimet për rikonstruksionin e stacionit të ishin të dobëta dhe jashtë standardeve. Qeveria serbe i hodhi poshtë më herët këto akuza dhe tha se përgjegjësit do të japin llogari për gjithçka.
Me vendimin më të fundit, Vuçiç u tërhoq nga qëndrimi i jo më larg se dy ditëve më parë kur akuzoi vendet perëndimore se nxitën opozitën të protestonte dhunshëm. Përveçse mbështet rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian të Serbisë, Vuçiç ruan marrëdhënie shumë të mira me Moskën dhe Pekinin, që kohët e fundit ka shtuar investimet në këtë vend.