Tiranë, 19 shtator– Katër ministrat e kabinetit të Qeverisë Rama kanë dorëzuar sot mandatin e deputetit. Mësohet se Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i Financave, Shkëlqim Cani, i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri kanë dorëzuar sot në Kuvend kërkesat e tyre për të lënë mandatet. Ndarja e funksioneve të ministrit dhe të deputetit ishte një premtim elektoral i socialistëve, që nisi të aplikohej në muajin dhjetor. Për të mos humbur shumicën në Kuvend, mandatet u dorëzuan në grupe.
Shtatë të parët që dorëzuan mandatet ishin Ilirjan Celibashi, Eglantina Gjermeni, Klajda Gjosha, Edmond Haxhinasto, Nasip Naço, Erjon Veliaj dhe Milena Harito. Pas zëvendësimit të tyre, radha i takoi Mimi Kodhelit, Lindita Nikollës, Arben Ahmetaj, Ilir Beqjas dhe Saimir Tahiri. Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ai për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, nuk kanë një mandat parlamentar. E ndërsa sot, radhës së ministrave pa mandate deputeti iu shtuan dhe 4 ministrat.
Kështu, mandati i Saimir Tahirit i kalon Erjeta Allhyses, ai i Ditmir Bushatit i kalon Ervin Bushatit. Këto sipas përllogaritjeve që KQZ ka ndjekur për zëvendesimin e mandateve dhe për ministrat e tjerë, të cilët më herët kanë dorëzuar mandatin. Mandati i Shkëlqim Canit i kalon Ezmerina Hoxhës. Pavarësisht se në listë i treti është Hasan Ceni, ai nuk e përfiton mandatin pasi ky qark është gjobitur kohë më parë nga KQZ për mosrespektim të kuotës prej 30 % për kandidatet femra, sikundër dhe subjektet e tjera zgjedhore. Pasi dorëzimi i mandateve të kalojë në procedurat parlamentare dhe në Këshillin e Mandateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t'i zëvendësojë me emrat pasues në listën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sa i takon zëvendësimit të mandatit të Damian Gjinkurit dhe ai i shkon një femre. Ajo është Luljeta Arapi, pavarësisht se në listë kandidati mashkull pasues pas Musa Ulqinit është Arben Kamani.





