Bajern Mynih-Borusia Dortmund mund të cilësohet më të drejtë si një nga “Klasiket” më të zjarrta në historinë e Bundesligës, si shkak i klasifikimit në tabelë. Tomas Myler së fundmi ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit rreth rivalit të sotëm, emocionet, kombinimit ideal, pa anashkaluar mbrojtësin më të vështirë në karrierë.
GOLI MË SPECIAL PËRBALLË “ARMIKUT”- ”Finalja e Kupës së vitit 2014 në Kupën e Gjermanisë. Atë do ta specifikoja si momentin më special në kuadrin e golave të finalizuar ndaj Dortmundit. Ende më shfaqen ato imazhe, interesante”, citonte mes buzëqeshjesh lojtari me numër 25 në “Allianz Arena”. PRITSHMËRITË-”Sigurisht fitore, asnjë mundësi tjetër nuk ekzistonte në mendjen time, mendoj se e njëjta përgjigje vlen edhe në grupin tonë. Të fitosh ndaj rivalit më të madh dhe të rimarrësh kreun mbetet ndjesia më e bukur, shpresoj t’ia dalim me sukses, aq më tepër përpara tifozërisë sonë, e cila e pret me padurimin rikthimin te fitorja, pas disa javëve jo të lehta”, shprehej “plakushi” Myler.
EKIPI I PREFERUAR- ”Vështirë ta përmbledh në një kundërshtar të vetëm, pasi çdo sfidë mbart emocionet e saj. Meqenëse jam nga Mynihu dhe rivaliteti këtu në Gjermani merr përmasa të zjarrta, them Dortmundi. Këtë sezon ata po duelojnë denjësisht ndaj nesh. Komponenti në fjalë rrit dozat e karikimit në çdo kamp për të dhënë më të mirën”.
MBROJTËSI MË I ASHPËR– ”Ka shumë, por Serxho Ramos është unik në llojin e vet. Tempi i tij ta bën të vështirë menaxhimin e përplasjeve, pasi pasojat mund të ndikojnë në lëndim. Sa herë që fati na ka rezervuar Realin, Ramosi shfaqej si pengesa e parë dhe më madhe. Klasi i mbrojtësit spanjoll ka demonstruar aftësi prej muri të pathyeshëm, e komplikuar të luash karshi tij”, ceku Tomas.
KOMBINIMI I AFTËSIVE IDEALE- ”Dëshiroja të kisha shpejtësinë e Komanit ose të Alfonsos. Vështire se ndokush mund të më ndalte. Thjesht do të shtyja topin para dhe të gjithë rivalët do të më ndiqnin nga pas, vetëm kur e mendoj më vjen të qesh, por më pëlqen si ide. Kundërshtarët do të shikonin njëri-tjetrin dhe më pas do të pyesnin se ku shkoi ky”, tha mes të qeshurash futbollisti më “veteran” në grupin aktual nga Mynihu.
DOMETHËNIA E NUMRIT 25 NË FANELLË– ”Zakonisht lojtarët titullarë përzgjedhin numrin nga 1 deri në 11, por unë nuk pata një dëshirë specifike rreth shifrës. 25 erdhi si rastësisht dhe vazhdoj ta djersije fanellën ende me të, pa e menduar ndryshimin. Tashmë emri im është identifikuar dhe nuk dëshiroj që tifozët të blejnë fanella të reja nga tekat e mia”, shtoi mes shakash 33-vjeçari.
PYETJA E “MOMENTIT”- ”Do t’ia adresoja Xhamal Musialës se kur do të zhvillojmë lojë goli së bashku. Ai ende më detyrohet një borxh sekret”, përfundoi me nota të larta humoristike kapiteni i rekordmenëve gjermanë. Bajerni në rast suksesi rimerr kryesimin në tabelën e Bundesligës, ndërsa dy rezultatet e tjera i lënë kreun rivalëve të Dortmundit, çka do t’i afronte më tepër me titullin verdhezinjtë.





