Otmar Hicfeld është “i skalitur” në historinë e Borusia Dortmund.

Pikërisht me trajnerin 75-vjeçar, klubi verdhezi ka fituar Champions-in e vetëm, i arritur në vitin 1997 kundër Juventusit të legjendave “të gjalla” si Del Piero, Vieri apo Deshamp. Së fundmi Hicfeld është rrëfyer në kanalin e Dortmundit, duke kujtuar etapën e suksesshme, madje duke bërë lidhjen me ciklin ekzistues, aty ku Dortmundi ka shansin të përsërisë triumfin në finale kundër Real Madrid.

RRËFIMI – “Detyra kryesore si trajner i Dortmundit në atë cikël isha të bashkoja ekipin si një trup, mos të na identifikonte individi, por grupi. Detaji më i rëndësishëm është besimi që trajneri ka te skuadra e tij dhe unë i besoja verbërisht atij brezi. Ne kishim fituar dy tituj rresht në vitet 1995 dhe 1996, por në vitin 1997 nuk ia dolëm. E mbyllëm vetëm në vendin e tretë në Bundesligë, pas Bajer Mynih dhe Lervekusenit. Vuajtëm shumë. Por është gati e njëjtë me kalvarin e rezultateve që Dortmundi ka marrë këtë vit, dobët në kampionat dhe tjetër fytyrë në Champions. Gjithçka mund të ndodhë.

Gjithsesi, ai brez kishte lojtarë të një kalibri shumë të lartë dhe lider në fushë si Ridëll, Riken, Zamer, Paulo Zoza, Lambert, Mëler, Shtefan Rojter apo Klos. Gjithsesi, Juventusi cilësohet si ekipi më i ri i atyre viteve, por ne ia dolëm t’i mposhtnim më meritë dhe shkruam historinë. A mund të ndodhë sërish? Patjetër që po. Ata kanë pësuar vetëm dy humbje në të gjithë edicionin dhe mos të harrojmë, kalimin e grupit të ferrit, rezistuan denjësisht kundër Atletikos dhe i mbyllën pastër llogaritë ndaj PSG-së. Kam fituar shumë tituj në Gjermani dhe më gjerë, por Ligën e Kampioneve në vitin 1997 nuk e ndërroj me asgjë. Ajo që e bën akoma më të rëndësishme në karrierën time ka të bëjë me rrethanat. Ne nuk ishim favoritë, por besuam dhe ia dolëm. Askush në nisje të atij sezoni nuk e imagjinonte se do shpalleshim kampionë të Europës. Do kryqëzoj gishtat për Dortmundin të shtunën. Terziç ka bërë punë vërtet për t’u duartrokitur”, përfundoi Hicfeld.

PRECEDENTI – Në ciklin 1996-1997 Borusia Dortmund u gjend në të njëjtin grup me Atletiko Madrid, Steaua Bukuresht dhe Vidzev Lodz. Ata e mbyllën në të njëjtën kuotë me Atletikon, por me golavarazh më të dobët. Më pas u “përplasën” me Okser në fazën çerekfinale. Verdhezinjtë u treguan të pamëshirshëm, duke i fituar të dyja ndeshjet. E njëjta tablo u pasqyrua edhe me Mançester Junajtid në gjysmëfinale. Nga kampi i anglezëve Erik Kantona cilësohej “mit”, ndërsa Devid Bekam ishte në hapat e parë.

Gjithsesi, “armata” e Hicfeld i “nënshtroi” në të dyja sfidat të besuarit e Sër Aleks Ferguson. Në finale u vunë përballe një tjetër “artilerie”, Juventusi i Marçelo Lipit. Dygolëshi i Ridëll dhe finalizimi i Riken sfumuan konkretizimin e Del Pieros. Rasti i edicionit 2023-2024 është gati identik me atë të Otmar Hicfel. Të besuarit e Edin Terziç e nisën me “marshin” e 7-të që në fazën e grupeve. Përballuan me sukses grupin “e ferrit” (Milani, PSG, Njukasëll). Më pas dueluan me kampionët e Holandës PSV-në. Më tej u rritën sërish dozat e konkurrencës. Atletiko Madrid nuk ishte në gjendje të thyente Fylkrkug me shokë. “Treni” i fundit që i dërgoi në “Uembli” verdhezinjtë kaloi përmes PSGsë, dy fitore dhe sigurimi i finales së 3-të në histori. /PANORAMASPORT.AL