9 mars 2015 – Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit sot për herë të parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për të dëshmuar gjithçka që ai di në lidhje me çështjen ‘Doshi’.
Ditën e shtunë më 7 mars, Prokuroria dërgoi fletëthirrjen për ish-kryeministrin Berisha, duke i kërkuar të paraqitet në organin e akuzës të hënën në orën 09:00 të paradites. Kërkesa u depozitua në Kryesinë e Kuvendit, ndërkohë që Berisha është thirrur nën cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, referuar dhe deklarimeve dhe akuzave publike të bëra në sallën e parlamentit.
Rreth 10 minuta sapo ka kaluar ora 09:00, Berisha është parë të hyjë në ambientet e Prokurorisë dhe nuk ka harruar as gjatë këtij momenti të bëjë përshëndetjen e tij historike me dy gishta.
Ora 10:00 – Berisha largohet nga Prokuroria, deklaratë për mediat:
Pas afro 50 minutash përballë kryetarit të Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, dhe prokurorit Blerim Tominaj, ish-kryeministri Berisha deklaroi para gazetarëve se prokurorët janë nën një presion për zbardhjen e skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike, dhe sigurisht që nuk ka pranuar të flasë rreth asaj çka ka deklaruar para prokurorëve, pasi mbetet një sekret hetimor.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda më çoi dy ditë më parë thirrjen për t’u paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzës më të rëndë të 23 viteve të fundit, skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike, pavarësisht nga pretekstet në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe Meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale.
E prita ftesën me kënaqësi në kuptimin që të mund të kontribuoj sadopak në rrëfimet e mia për këtë çështje, natyrisht ato çka thashë aty, përbëjnë sekret deri në momentin që Prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi, kreu i qeverisë, kreu i Parlamentit, ministri i Brendshëm, e mbajti për 6 muaj njëlloj si në shpellën e mafies, e mbajti jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin.
Jo vetëm nuk e dorëzoi, por në 6 muaj kupola e përfshirë në këtë krim ndërmori veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin. U kryen 2 atentate ndaj dorësit që do të realizonte vrasjet dhe ndaj paguesit të parave dhe sekserit të Metës në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhë jo vetëm tentuan të eliminojnë 2 dëshmitarët kryesorë, por hetimin ja besuan kryetarit të PS-së për Tiranën, mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit.
Tani e merrni ju me mend kur hetimi bëhet nga kryetari i PS-së së Tiranës dhe firmoset nga kryetari i PS-së për Shqipërinë, pra në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilës fajin e ka opozita. Në këtë skenar të turpshëm Meta, kryesisht ai, por edhe Edi Rama, nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën. Kryehetuesi i partisë Saimir Tahiri pas 6 muajsh, pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, kodit e kushtetutës, Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu, unë nuk di, por në fund Tahiri përfundoi avokat i pamposhtur i Bamit. Kjo është e faktuar që përfundoi i dashuruar me Bamin, aq shumë e bindi Bami, saqë i thotë unë nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, se jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit, se ndihet më i fuqishëm me Tahirin.
Kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, përpjekje për manipulim të gjithanshëm ,presion mbi institucionin e akuzës sepse paraqitja para drejtësisë 6 muaj më vonë kur kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe ministri i Brendshëm janë në bllok, nuk ka në botë prokuror as në vendet më të zhvilluara që mund të hetojë një gjë të tillë.
Nuk mundet që një kryeministër të informohet që ka pasur një tentativë vrasje për deputetin e tij të mos kërkojë ndihmën dhe të adresojë në prokurori çështjen për ta zbardhur. Donte ta zbardhte me Tahirin e partisë, dhe në fund Tahiri tha se Bami im është i pafajshëm, kurse Rama vet tha se është një aktor”, deklaroi Berisha.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





