11 mars 2015 – Fatjon Skënderi, personi i përfolur si njeriu, i cili kishte porositur te Durim Bami vrasjen e Tom Doshit po jep dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai ka mbërritur në organin e akuzës në orën 09:00 të mëngjesit.

Seanca e pyetjeve si personi që mund të ketë dijeni për ngjarjen pritet të jetë e gjatë.

Nga videorrëfimi i Durim Bamit, ky i fundit tregon se kishte qenë Fatjon Skënderi, ish shoferi i PR-së, dhe i njohur me emrin e shkurtuar, “Toni” i cili kishte kontaktuar me të për të kryer vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit në këmbim të 600 mijë eurove.

Në Prokurori dëshmuan pardje edhe Ymer Lala dhe Ylli Xhaxhollari, pronar i lokal “Viva” në zonën e ish-Bllokut,  ku sipas “vrasësit te penduar” Durim Bami ishte marrë porosia për eliminimin e deputetit Tom Doshi dhe Mhill Fufi.

Nga transkripti i bisedës së regjistruar në video dhe që u vu në dispozicion nga Tom Doshi, Ymer Lala, nga Durim Bami prezantohet si shoku i ngushtë i Fatjon Skënderit.

 

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/