6 mars 2015 – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pas ftesës së djeshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është paraqitur sot rreth orës 12:00, ashtu siç edhe ishte parashikuar, për të dhënë dëshminë e tij në kuadër të hetimeve për rastin e pretendimeve të deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi, se ndaj tij ka pasur tentativë për ta vrarë.
Por, kujtojmë që kryeministri Rama ka deklaruar ditën e djeshme se u takon institucioneve të drejtësisë që të zbardhin të vërtetën për këtë çështje, duke hedhur poshtë deklaratat e Doshit se ndaj tij ka pasur një tentativë për ta eliminuar fizikisht.
Ndërkohë, ndërtesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është rretuar nga forca të shumta të Gardës së Republikës. Është hera e parë që në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shqipërisë paraqiten kaq shumë zyrtarë të lartë në të njëjtën ditë për të dhënë deklarime.
I pari që u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ishte Ilir Meta, për të dëshmuar lidhur me akuzat e Tom Doshit, se ai kishte paguar njerëz për vrasjen e tij dhe të deputetit të PD-së Mhill Fufi. I përpiktë në orar, kreu i Parlamentit ka hyrë në zyrën e dy prokurorëve dhe në prani edhe te dy oficerëve të policisë gjyqësore, ka treguar gjithçka dinte mbi skenarin e pretenduar të vrasjeve politike. Meta qëndroi rreth 90 minuta, dhe pak minuta pas largimit të tij, në Prokurori mbërriti edhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Në radhën e dëshmitarëve të thirrur në cilësinë e personit që kanë dijeni mbi ngjarjen, janë edhe deputeti kristiandemokrat Mark Frroku, ish-kryeministri Sali Berisha si dhe ish-drejtori i Krimeve të Rënda Eugen Beci.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





