Një prej të akuzuarve të dosjes “339”, Altin Avdyli kërkon përjashtimin nga çështja të gjyqtares Daniela Shirka.

Në kërkesën e tij, Avdyli shprehet ndër të tjera se gjyqtarja në fjalë ka dhënë vendim për një pjesë të dosjes “339/3” ndaj nuk mund të gjykojë çështjen në fjalë “339/2”.

“Pranë Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është regjistruar Procedimi Penal Nr. 339/2016.

Ish Gjykata e Shkallës së Parë për Krime Tiranë, ka lëshuar Vendimin Nr. 157, datë 21.10.2018, masën e sigurimit në mungesë, për Hajri Seferi, Altin Avdyli, Astrit Avdyli, Elis, Guri, etj.

Më pas procedimi penal Nr. 339, u nda në 4 fraksione.

Gjykata e Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me relatore znj. Daniela Shirka, me Vendimin Nr.28, date 28.10.2020, (për të njëjtin procedim) ka vendosur:

1. Ramadan Dushaj me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
2. Rezart Cacani me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
3. Neritan Saraçi me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.
4. Ardit Haxhagiqi me 8 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5,4 vite burgim.
5. Vilson Noka me 14 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 9,4 vite burgim.
6. Fatbardh Gostini me 7,6 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5 vite burgim.
7. Luan Boça me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.

Duke qenë se për të njëjtin procedim është shprehur më vendim, kjo gjyqtare Daniela Shirka, nuk mund të gjykoje çështjen me penale nr. 38, me te pandehur, Gjevi Ndoka, Altin Avdyli, etj”, thuhet në kërkesën e tij.

Për Altin Avdylin SPAK ka kërkuar 10 vite burg, ndërsa për të gjithë grupin 147 vite.